
Java e 23-të e Superligës u mbyll me sfidën e luajtur dje pasdite në "Selman Stërmasi" mes Tiranës dhe Flamurtarit, takim që përfundoi 0-0.
Skënderbeu dhe Kukësi ndajnë kreun e renditjes me pikë të barabarta, 47 secili, pas fitores së korçarëve ndaj Vllaznisë 1-0 dhe barazimit të verilindorëve 0-0 me Partizanin. Hap fals mund të konsiderohet ai i Luftëtarit në shtëpi kundër Laçit, pas barazimit 1-1, ndërsa Korabi vijon të konsiderohet si i rënë nga Superliga, sidomos pas humbjes 1-0 kundër Teutës.
Newsport.al ka përzgjedhur edhe për këtë javë formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës në Superligë.
Në portë, Enea Koliçi bëri një ndeshje fantastike kundër Partizanit. Nëse Kukësi nuk pësoi gol, merita më e madhe ishte e portierit Koliçi, i cili bëri të paktën tri-katër pritje shpëtimtare.
Në mbrojtje, në krahun e djathtë, Arbër Beqaj i Flamurtarit arriti të neutralizonte krahun e majtë të sulmit të Tiranës, ndërsa Moise nuk e kaloi në asnjë moment. Në krahun e majtë, në formacionin më të mirë të javës 23 të Superligës, Newsport.al përzgjedh Taulant Sefgjinin e Laçit, i cili në Gjirokastër kundër Luftëtarit zhvilloi një super paraqitje. Në qendër, Malota-Shameti konsiderohen si më të mirët e javës. Dikur në një ekip, te Kukësi, dje kundërshtarë, Malota i Partizanit dhe Shameti i verilindorëve arritën të mbyllnin me sukses hapësirat për sulmuesit që kishin përballë, përkatësisht Pejiçin dhe Ekubanin.
Në mesfushë, Liridon Latifi në krahun e djathë. Gol vendimtar në Shkodër kundër Vllaznisë dhe tri pikë për Skënderbeun. I vetmi që bëri diferencën për korçarët përballë një mbrojtjeje të ngjeshur të kuqebluve. Në krahun e majtë, Karioka i Kukësit ishte panik për mbrojtjen e Partizanit në çdo moment. I lëvizshëm dhe i shpejtë, madje edhe i saktë në disa pasime për Eminin dhe Pejiçin. Në qendër, Daja i Tiranës dhe Batha i Partizanit konfirmohen si "oksigjen", respektivisht për bardheblutë dhe për të kuqtë. Mbajnë të njëjtin ritëm gjatë 90 minutave në sfidën që Tirana zhvilloi kundër Flamurtarit dhe Partizani kundër Kukësit, vjedhin topa në mesfushë, madje tentojnë të shënojnë për të zhbllokuar sfidën.
Në sulm, Izair Emini nuk shënoi kundër Partizanit, ose më saktë, goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje, goditi shtyllën dhe pati disa momente të tjera të mira ku iu shpëtoi mbrojtësve të kuq, por fati nuk ishte me të. Për të mbyllur 11-shen më të mirë, Andi Ribaj bën gjithçka vetë në "Niko Dovana" kundër Korabit. Sulmuesi i Teutës fitoi 11-metërshin vendimtar dhe e ekzekutoi po vetë duke i dhënë fitoren 1-0 "djemve të detit". Ribaj, duket se po i kthen vërtet buzëqeshjen durrsakëve.
Për sa i përket trajnerit më të mirë të kësaj jave në Superligë, Newsport.al përzgjedh Bledar Sinellën. Trajneri i Laçit kishte përgatitur një ndeshje të mirë përballë surprziës së këtij sezoni, madje edhe kur u gjend në disavantazh 0-1, arriti të gjente një plan "B" duke vënë në lëvizje të tijtë dhe duke iu dhënë besim se mund të mos dilnin pa pikë nga Gjirokastra.
Formacioni më i mirë i javës 23 i Superligës:
Koliçi
Beqaj Malota Shameti Sefgjini
Latifi Daja Batha Karioka
Emini Ribaj
Trajner: Bledar Sinella