Vllaznia renditet në vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit me vetëm 3 pikë larg kreut që mbahet nga dy skuadrat e kryeqytetit dhe një pjesë të meritës padiskutim e ka edhe Fjoard Jonuzi, i cili është një nga protagonistët absolut të shkodranëve këtë sezon duke qenë vendimtarë me paraqitjet e tij.
Në një intërvistë për “Newsport.al” me gazetaren Floridona ADEMAJ, fantazisti i kuqebluve ka analizuar shkodranët deri në këtë moment të kampionatit. 26-vjeçari shpreson që të fitojnë trofe këtë sezon pasi sipas tij kjo Vllazni e meriton.
Edhe një vit kontratë si kuqeblu, mesfushori kuksian nuk e fsheh dëshirën për të luajtur për një ekip europian, ndërsa do të nënvizonte se priste edhe ftesën e kombëtares për ndeshjet miqësore.
Jeni një nga lojtarët kyç në formacionin e Vllazninë, si ndihet Jonuzi këtë sezon? Po sigurisht ndihem shumë mirë në Shkodër. Është viti i 3-të që luaj me Vllazninë dhe tashmë jam bërë si i “shpisë”. Gjithmonë mendoj të bëj më të mirën dhe do të bëj më të mirën pasi mundësitë jaën reale.
E prisnit një ftesë nga Edi Reja për ndeshjet miqësore të kombëtares? Patjetër që e prisja, pasi si çdo futbollist edhe un dëshiroj të përfaqësoj vendin tim dhe është krenari të veshësh fanellën e kombëtares. Vendimi i takon trajnerit dhe ia vendos se kë thërret apo jo, por ajo që mua më ngelet është të punoj akoma më shumë për të pasur paraqitjet pozitive.
3 pikë larg kreut, a e fiton Vllaznia kampionatin? Po siç e thatë jemi vetëm 3 pikë larg vendit të parë. Jemi një ekip cilësor dhe kemi treguar vlera pavarësisht disa ndeshjeve jo shumë të mira për shkak edhe të dëmtimeve të disa lojtarëve. Këtë sezon “PO” kemi mundësinë të bëjnë diçka të madhe.
Cila është skuadra më e fortë me të cilën jeni përballur? Unë mendoj se këtë sezon nuk ka ndarje mes ekipeve të fortë apo të dobëta. Ky kampionat ka treguar se çdo ekip është i mobilizuar dhe mund të marrë pikë ndaj çdo kundërshtari ndaj që secila prej skuadrave duhet respektuar në maksimum.
Takimi i radhës është në Superkupë ndaj Tiranës, kundërshtarë që barazuar 0-0 javën e 12-të. A do t’ia dalë Vllaznia të ngren lart trofeun? Superkupa është një ndeshje shumë e fortë dhe një finale që luftohet për trofe që e bën akoma më interesante. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur mes dy skuadrave rivale, porn ë do të hyjmë në ndeshje për të fituar.
Në kampionat përballeni me Egnatian, teksa në takimin e parë jeni mposhtur 3-0. A do hakmerreni ndaj skuadrës së Shpëtim Duros? Egnatia është një ekip shumë i rrezikshëm. Ka lojtarë të mirë dhe e kemi parë në ndeshjen e parë se çfarë janë të aftë të bëjnë, kështu që do të jetë një ndeshje e fortë. Duhet përqendrim dhe punë e fortë në këtë periudhë pause që jemi që të përgatitemi si duhet për këtë duel.
Në 12 javë keni shënuar vetëm një gol, në fitoren 2-1 ndaj Bylisit. Pse mungojnë golat e Jonuzit? Të shënosh gola është shumë e bukur, edhe pse detyra ime nuk është të shënoj, por unë mundohem të bëj më të mirën për skuadrën, duke e ndihmuar ekipin në mënyra të tjera, por shpresoj pse jo të shënoj dhe gola.
Jemi afër merkatos së janari, a ka ndonjë “shkëndijë” drejt një ekipi europian? Po është akoma herët, kam kontratë me Vllazninë deri në fund të sezonit. Duhet të përqendrohet të bëj mirë këtu ku jam, pastaj çështë e vërteta dëshira ekziston të luaj jashtë Shqipërie dhe shpresoj të lëviz jashtë.
Keni një mesazh për Vllaznit Ultras? Tifozët janë shumë të rëndësishëm, pasi për ne janë lojtari i 12-të. Ne e këmi më të lehtë në fushë të motivohemi dhe e pamë edhe me Tiranën mbështetjen e tyre dhe shpresojmë që në fund t’i kënaqim sepse vërtetë e meritojnë.
Meqë jemi në periudhën e kampionatit botëror, me kë jëni tifoz dhe kush sipas jush e fiton trofeun e Kupës së Botës? Unë në fakt jam tifoz i Lionel Messit dhe do doja shumë që Argjentina të fitonte këtë trofe, pasi vetëm Kupa e Botës i mungon.
Po lojtari më i mirë kush mendoni se do jetë? Mendoj se gjithçka do varet nga ecuria e ekipit që do të fitojë “Katar 2022” dhe do të shikohet se kush do të jetë lojtari më i mirë. Nuk kam një emër. /FLORIDONA ADEMAJ/