Një sfidë për t’u parë e shijuar është ajo e 17 majit në Air Albania, aty ku në orën 18:30, Tirana dhe Partizani do të përballen për një derbi ndryshe nga të tjerat. Në “pjatë” është titulli kampion dhe fituesi në fund të 90 minutëshit do të hedhë një hap gjigant dhe të sigurtë drejt objektivit kryesor.
Interesi është i jashtëzakonshëm për këtë superfinale madje tifozë nga jashtë Shqipërisë pritet të vijnë të zënë vendet e tyre në stolat e stadiumit e të bëjnë tifo për skuadrën e zemrës.
Duke parë edhe interesin e lartë, stadiumi Air Albania ka hapur që tani dyert e kateve të dyta, siç shihet në postimin e KF Tiranës për daljen në shitje të biletave. Ndryshe nga derbet e fundit ku kati i dytë ose nuk hapej fare, ose u hapnin disa orë para sfidës kur kati i parë mbushej plotë, kësaj rradhe janë vendosur në shitje biletat për të gjitha sektorët e stadumit.
Kujtojmë që rekordin absolut të futbollit shqiptar e mban pikërisht derbi i 28 shkurtit 2020 ku Tirana ishte pritëse dhe u shitën plot 19.511 bileta. Atë ndeshje e fituan bardheblutë me rezultatin historik 5-1.