
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka zhvilluar këtë të enjte një vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka inauguruar hapjen e “Shtëpisë së Futbollit”, një kompleks moderni financuar pikërisht edhe nga programi “Forward” i FIFA-s.
Kjo vizitë e Presidentit Infantino përkoi edhe me 90-vjetorin e anëtarësimit të FSHF-së në FIFA, një vit jubilar ky për institucionin e futbollit shqiptar!
Fillimisht, kreu i qeverisë së futbollit në botë dhe delegacioni shoqërues i tij u prit nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit në aeroport, ku së bashku vizituan stadiumin me infrastrukturën më moderne në Shqipëri ‘Air Albania’.
Presidenti Infantino u njoh nga afër me kryeveprën e vendosur në zemër të kryeqytetit, teksa vizitoi të gjitha ambientet e stadiumit dhe shprehu vlerësimet më të mira për këtë investim modern dhe për punën e mirë të bërë nga FSHF në ndërtimin e këtij impianti. Pas vizitës në stadium Infantino u prit në një takim nga Kryeministri Edi Rama, me të cilin diskutoi për mënyrat se si qeveria mund të mbështesë zhvillimin e futbollit shqiptar përmes investimeve në infrastrukturën sportive, që ka nevojë akute për ndërhyrje e veçanërisht në Tiranë ku nevoja për fusha të reja futbolli është shumë e madhe. Gjithashtu gjatë takimit Presidenti Infantino foli me Kryeministrin Rama edhe për përmirësimin e legjislacionit aty ku është e nevojshme për ta ndihmuar sa më shumë futbollin të rritet.
Më pas, numri një i qeverisë së futbollit botëror së bashku me Kryeminstrin Edi Rama, Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, morën pjesë në eventin festiv të organizuar në Shtëpinë e Futbollit me rastin e inaugurimit të të këtij kompleksi modern sportiv, i financuar me fondet e programit “Forëard” të FIFA-s.
Në këtë event ishin të ftuar edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, figura nga më të njohura të futbollit shqiptar ndër vite, drejtues të klubeve si edhe shumë të rinj e të reja që u argëtuan duke luajtur futboll në fushat e reja të këtij kompleksi.
Në fjalën e rastit të mbajtur gjatë eventit Presidenti Duka, teka i uroi mirëseardhjen të gjithë personaliteteve dhe miqve të ftuar, u shpreh i emocionuar për inaugurimin e kompleksi “Shtëpia e Futbollit”, shtëpinë e të gjithë atyre që jetojnë e punojnë me emocionet e bukura të futbollit. Një ëndërr e bërë realitet e që pak vite më parë dukej si utopike.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino shprehu kënaqësinë dhe emocionin që ishte këtë të enjte në Shqipëri, për të inauguruar kompleksin modern, ‘Shtëpinë e Futbollit’, teksa theksoi në fjalën e tij se që prej herës së tij të parë përpara 20 vitesh, kreu i qeverisë së futbollit botëror tashmë, sheh një ndryshim 2000 vite dritë më pas dhe jo 20 vite më pas. Presidenti Infantino tregon në fjalën përshëndetëse se ka mbetur i mrekulluar nga stadiumi ‘Air Albania’, si edhe nga investimet e tjera në stadiumet e rindërtuara në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Më tej, Infantino tha se FIFA i ka shumëfishuar investimet 5 vitet e fundit, teksa theksoi se qeveria botërore e futbollit do të jetë krah FSHF-së e Qeverisë Shqiptare për të ndërtuar më shumë terrene sportive, për të cilat ka nevojë vendi, ndërsa komentoi edhe hapjen e basteve në Shqipëri, përmes një enti rregullator të Qeverisë, ku fitimet do të shkojnë të gjitha në drejtim të sportit.
Ndërsa, Kryeministri Rama e nisi fjalën e tij me një batutë për gjuhën, duke iu drejtuar të pranishmëve në italisht e duke e vënë theksin te fakti që futbolli edhe në Shqipëri është si një fe si edhe vlerësoi investimet e bëra së fundmi nga qeveria në bashkëpunim me FSHF-në.