
Një nga lajmet që ka tronditur futbollin shqiptarë ditën e djeshme ishte vdekja e lojtarit 17-vjeçar të Trepça ’89. Erjon Kajtazi humbi jetën pas një arresti kardiak në fushën e lojës
Për këtë humbje të madhe ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që ka shprehur ngushëllimet në rrjetet sociale si dhe ka bërë thirrje për ndërgjegjësim për kujdesin shëndetësor të futbollistëve dhe rëndësinë që kanë kontrollet e vazhdueshme në mënyrë periodike për të shmangur dhe parandaluar tragjedi të tilla.
“Thellësisht i tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të futbollistit të FC Trepça ‘89 dhe i ekipeve kombëtare të Kosovës, Erion Kajtazi! 17-vjeçari pësoi një ata kardiak në fushë gjatë një ndeshjeje kampionati dhe pavarësisht përpjekjes së mjekëve nuk mundi të mbijetojë.
Në emër edhe të komuniteti të futbollit shqiptar, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kajtazi, FC Trepça ‘89 dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Erionit.
Njëkohësisht duhet të ndërgjegjësohemi gjithmonë e më shumë për kujdesin shëndetësor të futbollistëve dhe rëndësinë që kanë kontrollet e vazhdueshme në mënyrë periodike për të shmangur dhe parandaluar tragjedi të tilla. U prehsh në paqe Erion Kajtazi! Kujtimi yt do të mbetet i paharruar!”, ka shkruar Duka.