
Shqipëria fitoi 2-0 ndaj Polonisë në “Air Albania”, takim i vlefshëm për kualifikueset e Euro 2024. Një sfidë e cila ishte një spektakël i vërtetë si në fushën e lojës ashtu edhe në tribuna.
Tifozët kishin mbushur shkallët e stadiumit si rrallë herë, ndërsa para sfidës nuk rezistuan dot dhe hodhën edhe flakadanë.
Pas analizimit të pamjeve filmike, policia ka arritur të arrestojë 2 persona, ndërsa ka mundur të identifikojë edhe 13 të tjerë.
“Policia e Shtetit identifikon dhe arreston dy persona pasi akuzohen se kanë hedhur flakadanë në ndeshjen Shqipëri-Poloni.
Sipas burimeve nga policia e cila bllokoi mbi 300 flakadanë, në vijim të punës për identifikimin dhe penalizimin e personave që kanë hedhur flakadanë apo tymuese në ndeshjen Shqipëri-Poloni janë marrë dhe analizuar pamjet filmike të stadiumit “Air Albania” dhe janë nxjerrë 15 foto të personave që kane përdorur këto lëndë. Dy prej tyre janë arrestuar”, thuhet në njoftimin e policisë.