Skënderbeu nuk arriti të merrte pikë në Rrogozhinë teksa u mposht minimalisht nga Egnatia falë një penalltie. Korçarët mbeten në kuotën e 22 pikëve dhe rrezikojn të bien me 2 pozicionë në renditje. Pas ndeshjes trajneri Ivan Gvozdenovic foli për mikrofonin e MCN TV.
“Sot vendosi një detaj i vogël, një gabim, një penallti. Loja ishte e barabartë, patëm 3-4 raste për gol si ajo me Rashicën ku ishte vetëm me portierin dhe kushedi si do shkonte loja. Një gabim brenda zonës është fatale, penalltia vendosi.
Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por mendojmë për javën tjetër dhe ka shumë ndeshje përpara. Kemi mungesa, Rami dhe Rabiu, Frashëri është sëmurë. Do të shikojmë opsionet, kemi lojtarë dhe do të shikojmë.
Qëllimi ishte të mbanim Egnatian larg zonës tonë. Ishim në ekuilibër në të dy pjesët dhe vetëm një herë ishte ajo humbje përqëndrimi ku erdhi goli me penallti që vendosi ndeshjen.
Mendojmë për javën tjetër, kemi bërë gabime individuale që rregullohen me eksperiencë. Është moment i vështirë por do ta kalojmë sepse kemi shumë ndeshje para. Tani filloi faza e tretë dhe kemi pak presion për pikët. Shohim para pasi nuk kemi tjetë opsion.
Futja e Pecanit i dha impuls skuadrës? Ndoshta mund t’i bënim më shpejt zëvëndësimet. Lojtarët e pankinës bënë shumë mirë sot. Mund të barazonim dhe ishim afër golit, ndoshta do të bëjmë më shpejtë zëvëndësimet.
Skema apo lojtarët ndryshuan lojën? Filluam me 3-5-2 dhe nuk ishim keq, pastaj ndërruam dhe shkuam me 3-4 lojtarë të freskët dhe ofensiv. Me 4-3-3 ishim afër portës dhe mund të barazonim.
Për momentin kam një grup të fortë, do të shikojmë si është situata për merkato. Skënderbeu është i madh dhe ka nevojë gjithmonë për përmirësim. Kemi nevojë për pikë dhe nuk jemi komod. Mirëpo, nuk është se jemi keq dhe do të luftojmë deri në fund”, tha Gvozdenovic.