
Anila Basha, drejtuese e shoqërisë mediatike “Newsbomb Albania” dhe “Newsport Albania”, dënon sulmin me armë ndaj televizionit kombëtar Top Channel. Teksa solidarizohet me kolegët që punojnë në këtë media, Basha e konsideron ngjarjen shumë të rëndë, një akt terrorist.
“Çka ndodhur në mesnatë me breshëritë e plumbave drejt godinës së TCh është ngjarje që terrorizon. Dy akte terroriste me kallashnikovë kanë ndodhur në një kohë të shkurtër duke marrë jetën e dy individëve rastësor e të pafajshëm.
Dukshëm, policia po dështon në krijimin e kushteve të sigurisë për qytetarët e vet. Qeveria duhet të ndërhyjë shpejt, e opinioni publik duhet të ngrejë zërin fuqishëm sa nuk është vonë.
Cilado të jetë arsyeja e plumbave drejt TCH është tej çdo imagjinate si veprim. Goditje ndaj një tv kombëtar. Akt terrorist. Kushdo që e ka bërë duhet të gjendet shumë shpejt, ndryshe, kjo ngjarje do të ketë pasoja”, shkruan gazetarja dhe botuesja Anila Basha.