
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici mësohet të ketë qenë mjaft i acaruar në mbledhjen e djeshme të zhvilluar në kampin verilindor dhe kjo për shkak të rezultateve negative që ekipi ka marrë në takimet e fundit.
Barazimi ndaj Kamzës ka acaruar më shumë gjendjen në kampin verilindor. Në takimin e djeshëm, sic ndodh shpesh, Gjici ka dhënë ultimatumet e radhës për trajnerin, stafin teknik dhe lojtarët. Ndër të tjera, Gjici mësohet të jetë shprehur: "Nuk ka më kohë të humbasim për pikë të vyera që do të na kushtojnë. Lind detyrim për fitore ndaj Partizanit. Nuk ka vend te Kukësi për lojtarë të paaftë që paguhen kot. Në janar do bëjmë merkato të fushqishme, por duht të dimë se kush vlen dhe kush jo nga lojtarët aktualë. Keni kohë deri në janar për të rikuperuar. Kush e meriton, të luajë, kush jo, s'ka vend te Kukësi", mësohet të jetë shprehur ndër të tjera Safet Gjici në mbledhjen e djeshme.