Autobusi i Romës ka mbërritur pak çaste më parë në Durrës. Si zakonisht, autmojeti lëvizës i klubeve, në rastin konkret autobusi, mbërrin një ditë para futbollistëve. CEO i Autoritetit të Portit Durrës, Pirro Thoma Vëngu, njoftoi për mbërritjen e autobusit në port, duke shkruar: "Mbërrin në Portin e Durrësit autobuzi zyrtar i skuadrës së Romës, në prag të finales së UEFA Conference League.
Autoriteti Portual Durres, në koordinim me kompanitë e lundrimit dhe Policia e Shtetit, po menaxhojnë situatën për mbarëvajtjen në përpunim për sportdashësit që po hyjnë në vendin tonë edhe në rrugë detare, për t'ju krijuar atyre lehtësirat e nevojshme. Një ngjarje e rëndësishme sportive jo vetëm për Italinë dhe Hollandën, por edhe një festë e madhe për gjithë Shqipërinë".
Itenerari i këtij autobusi është i qartë: Sot ka udhëtuar drejt Tiranës, më konkretisht në stadiumin "Air Albania". Ditën e nesërme, do të udhëtojë drejt Rinasit për të pritur futbollistët e Romës, që do të zbarkojnë në aeroport. Më pas, do t’i drejtohen hotelit ku do të grumbullohet skuadra.
Roma luan kundër Feyenoord pas dy ditësh, më datë 25 maj, finalen e madhe të UEFA Conference League, takim që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” në Tiranë.
