Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 30-të të Superiores, njihuni me lojtarët dhe trajnerin fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Abissnet Superiore mbylli javën e 30-të të saj, teksa rezultate mjaft befasuese morën skuadrat. Tirana fitoi ndaj Vllaznisë, por edhe Partizani triumfoi ndaj Bylisit. Diferenca mes tyre mbetet po 5 pikë. Egnatia dhe shkodranët mbeten në vendnumëro në tabelën e klasifikimit, teksa Laçi afrohet “kërcënueshëm” për Europën. Fitorja e Kastriotit rikthen “makthet” e mbijetesës, ku bashkë me Erzenin, Bylisin dhe Teutën bëhen plot 5 ekipe që kërkojnë qëndrimin në Superiore.

“Newsport.al” ka zgjedhur edhe 11-të lojtarët më të mirë të javës 30-të, të cilët me paraqitjet e tyre kanë arritur të ndihmojë skuadrat të marrin fitoren. Më poshtë njihuni me 11 futbollistët që shkëlqyen në Abissnet Superiore si dhe “timonierin” që shkëlqeu duke çuar ekipin drejt fitores.

Bekim REXHEPI (Partizani) – Partizani fitoi 2-1 ndaj Bylisit. Një ndeshje e luftuar, ku shkëlqeu veçanërisht “gardiani” i të kuqve, i cili u bë makth për miqtë duke shpëtuar në disa herë portën e tij nga gola të sigurtë. 26-vjeçari ndihmoi demat të fitonin në fund takimin falë pritjeve të tij.

Renato MALOTA (EGNATIA) – Qendërmbrotjësi ishte një nga më të dalluarit në sfidën mes Egnatias dhe Laçit, takim që përfundoi 1-1. Falë paraqitjes së tij rrogozhinasit edhe pse me 10 lojtarët arritën të merrni 1 pikë ndaj kurbinasve. 33-vjeçari u kthye në "makth" për sulmuesit kundërshtarë.

Jocelin BEHIRATCHE (Tirana) – Tirana fitoi ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, takim mjaft i rëndësishëm në garën për titullin kampion. Padiskutim që meritë për këtë përveç Abazajt ka dhe Behiratche, i cili futi në “xhep” sulmuesin kryesor të shkodranëve, Bekim Balaj. 22-vjeçari fitoi çdo duel me kundërshtarët duke qenë një “digë” para Bekajt. I pakalueshëm në prapavijë.

Armando RAMI (Kastrioti) - Mëngjërashi në linjën e majtë të prapavijës tregoi cilësi dhe potencial të madh. Kundër Kukësit ra në sy për lojën e mirë të zhvilluar, ku detyroi lojtarët e verilindorëve të sulmojnë më shumë në krahun tjetër të fushës.

Arinaldo RRAPAJ (Partizani) – Fitorja 2-1 ndaj Bylisit sigurisht i takon atij. Mesfushori i talentuar arriti të kalonte çdo kundërshtar dhe të dërgonte topin në fundin e rrjetës për t’i dhënë avantazhin të kuqve. 21-vjeçari bëri çfarë të donte në mesfushë, duke lënë kundërshtarët me “gisht në gojë”. Thjeshtë i jashtëzakonshëm ndaj ballshiotëve.

Xhulio MEHMETI (Kastrioti) – Fitore dramatike për Kastriotin ndaj Kukësit që fitoi duelin  e mbijetesës. Krutanët luanin për “jetë a vdekje” në “Elbasan Arena” ndërsa fituan 1-0. Mesfushori ishte një nga lojtarët kyç për Emiliano Çelën, i cili arrinte të thyente aksionet e verilindorëve, ndërsa nxirrte bukur në sulm shokët e tij duke sjellë edhe asistin e golit të vetëm. Ishte fantastik në detyrat e përcaktuara nga Çela.

Lorenco VILA (Teuta) - Nëse Teuta arrin të fitojë, padiskutim meritën e merr Lorenco Vila. Sulmuesi arriti të shënonte golin  e dytë të sfidës ndaj Erzenit duke “vulosur” fitoren e djemve të detit. Teuta duket e “varur” nga dyshja Vila dhe Kallaku të cilët ndeshje pas ndeshje po marrin përdore skuadrën në “misionin” mbijetesë.

Sherif KALLAKU (Teuta) - Fantazisti ka rigjetur formën e munguar, teksa pas ndeshjes do të theksonte se penalltia e humbur ne Rrogozhinë e kishte ngarkuar psikologjikisht, por tashmë kjo i përket të shkuarës. 1 gol dhe 1 asist në fitoren ndaj Erzenit. I mrekullueshëm në mesfushën e durrsakëve, ku merret vesh shumë mirë me Lorenco Vilën. Të dy protagonist absolut në triumfin e “Niko Dovanas”.

Paulo BUXHELAJ (Partizani) – I dalë nga Akademia e Partizanit dhe në ndeshjet që thirret në aksion bën më të mirën e tij. 19-vjeçari pavarësisht moshës në sfidën me Bylisin tregoi se është i gatshëm të marrë edhe përgjegjësitë e një lideri. Arriti të zhvillonte një superndeshje në stadiumin “Partizani”. Giovanni Colella bën shpesh ndryshime në formacion, por me siguri pas kësaj ndeshje nuk do të “guxojë” të lënë më në stol mëngjarashin e talentuar.

Kristal ABAZAJ (Tirana) – Nëse Florent Hasani në ndeshjet e fundit ka nisur “agjërimin”, duket se fatin e Tiranës për titullin kampion e ka marrë Kristal Abazaj. Sulmuesi në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 30-të, në Klasiken e Shqipërisë shënoi golin e fitoren. Ky është goli i 3-të në dy ndeshjet, pasi dopietë shënoi ndaj Egnatias, sfidë që u mbyll 2-1 për bardheblutë. 26-vjeçari nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin që mori 2 muaj më parë, teksa herë pas herë ndjen dhimbje, por kjo nuk e ndalon “Kristalin” e Tiranës të shënojë gola vendimtar për kryeqytetasit.

Santiago SELMANI (Kastrioti) – Shënoi golin që në fund mund të vlejë për qëndrimin në Superiore. Mposhti Kukësin në “Elbasan Arena” në duelin direkt për mbijetesën, duke mbajtur gjallë “shpresat” e krutanëve. Në vendin dhe në kohën e duhur u gjend në zonën e verilindorëve për të shtyrë në rrjet atë top që erdhi nga këndi. Kërceu mbi të gjithë, madje fitoi duelin edhe me vëllain A.Selmani që u hodh për të fituar topin. 3 pikët padiskutim për meritë të tij.

Trajner Orges SHEHI (Tirana)- Supersfida e kësaj javë ishte Klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës. Duke qenë se mori vëmendjen më të madhe dhe do të ishte përcaktuese për fatet e titullit, trajneri i javës është Orges Shehi. “Timonieri” durrsak udhëhoqi djemtë e tij drejt një fitoreje spektakolare, e para për këtë sezon ndaj shkodranëve. Nëse Shehi e mori këtë “titull” për këtë javë, padiskutim nuk është i vetmi që shkëlqeu, pasi edhe Emiliano Çela fitoi duelin më të rëndësishëm në këto javët e mbetura. Fitoi 1-0 ndaj Kukësit, por për shkak të rëndësisë që Klasikja e Shqipërisë ka, Shehu lë “thatë” Çelën.

[caption id="attachment_689835" align="alignnone" width="515"] Formacioni i javes se 30-te Abissnet Superiore[/caption]

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga