Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 22-të, lojtarët dhe trajneri fitues i Superiores

Shkruar nga NEWSPORT

Java e 22-të e Superiores uli “siparin” me rezultate surprizë dhe plot emocione. Partizani arriti të fitonte me 10 lojtarë që në minutën e 5-të ndaj Erzenit me rezultatin 3-0. Tirana i shënoi Kastriotit në minutën e 100-të, ndërsa Vllaznia ngeci në transfertën e vështirë të Rrogozhinës.

Newsport.al ka zgjedhur 11 më të mirët që shkëlqyen në javën që lamë pas. Nga porta e deri në sulm, ku sigurisht nuk mungon as trajneri i javës. Më poshtë njihuni me 11 futbollistët që shkëlqyen në Abissnet Superiore si dhe “timonierin” që shkëlqeu duke çuar ekipin drejt fitores.

FORMACIONI I JAVËS:

Edmir SALI – Kastrioti u mposht me rezultatin 1-0 në minutën e 100-të nga Tirana. Megjithatë portieri i krutanëve ishte më i miri në fushë. Ai arriti të mbante të paprekur portën e tij duke shpëtuar Kastriotin në disa raste flagrante. Vlen të përmendet edhe penalltia e pritur teksa i mohoi festën Florent Hasanin.

Erdenis GURISHTA – Kapiteni i Vllaznisë është gjithmonë i gatshëm për të luajtur ku ka nevojë skuadra. Edhe pse në Rrogozhinë nuk morën më shumë se 1 pikë, anësori i linjës së djathtë ishte rrezik konstant për kundërshtarin. Gjithashtu neutralizoi mirë edhe sulmet e Egnatias me iniciator Mustën.

Bruno TELUSHI – “Vetëm më fusni në fushë dhe do të jap maksimumin”, këto kanë qenë fjalët e “ushtarit” të Partizanit që në dy ndeshjet e fundit e kemi parë në një rol të ri. Ndaj Erzenit u vendos si qendërmbrojtës duke bërë jashtëzakonisht mirë këtë rol. I pakalueshëm në prapavijë, por edhe shtysë e madhe për pjesën para të ekipit.

Altin BYTYÇI – Kukësi u mposht minimalisht nga Teuta, por paraqitja e Bytyçit ishte vërtetë mbresëlënëse. Ndeshje pas ndeshje, qendërmbrojtësi i verilindorëve ka treguar progres në lojën e tij duke u shndërruar në pikë referimi edhe për stafin teknik. Edhe pse ndaj durrsakëve s’u arritën të merreshin pikë, në aspektin personal Bytyçi ishte më i miri për verilindorët.

Andi HADROJ - U mor nga Bylis si një lojtar me parametra normalë, por te Partizani ka shpërthyer. Çfarë sezoni nga anësori i prapavijës. Luan si majtas, ashtu edhe djathtas. Nëse ndaj Erzenit të gjithë u “fikën” në fundin e 90 minutave, ishte Hadroji ai që merrte sferën dhe tentonte të nxirrte para ekipin. Autor i asist të dytë në golin e Da Silv ës.

Massanga MATONDO - Kohët e fundit ka pasur probleme disiplinore jashtë fushe, por brenda saj s’mund të thuhet e njëjta gjë. “Kërkesë” e Ilir Dajës, por lojtari u afrua vetëm pas largimit të trajnerit kryeqytetas. Vetëm 23-vjeç dhe në mesfushë është realisht i pakalueshëm. Me qetësinë që e karakterizon shkatërron aksionet e kundërshtarëve dhe ndërton bukur ato të Partizanit. Tanimë po tenton të shtojë në repertorin e vet dhe një “armë” të re, goditje nga larg.

Sherif KALLAKU – Teuta fitoi ndaj Kukësit, një rival direkt për objektivat që të dy skuadrat kanë. Mesfushori i njohur ishte në një ditë të mirë duke arritur të mbajë gjithë peshën e mesit të fushës. Shkëlqeu me verilindorët duke qenë ndër më të mirët në fushë. Padyshim një “sms” për Tiranën që kanë humbur një pikë të rëndësishme në merkaton e dimrit.

Arinaldo RRAPAJ – Do të ikë apo s’do të ikë, kjo tashmë s’ka më rëndësi. Në fushë ishte me fanelën e Partizanit. Realizoi një perlë nga distanca duke zhbllokuar rezultatin në favor të të kuqve. Mjaft aktiv dhe bashkë me pjesën tjetër të mesfushës, bënë mos të ndihet mungesa e Maguette i ndëshkuar me karton të kuq.

Ildi GRUDA – Trajneri Edi Martini i thuri elozhe, madje e cilësoi si më të shpejtin në kampionatin shqiptar. Shkodrani gjen veten gjithmonë kur ky trajner merr fatet e ekipeve në duar. Shkëlqeu me Kukësin dhe ishte ai që vulosi fatin e takimit ndaj verilindorëve me golin e shënuar.

Flamur RUÇI – Bylis fitoi një ndeshje mjaft delikate në transfertën e vështirë të Laçit. Sulmuesi i mallakastriotëve mori një inkursion individual, shmangu kurbinasit dhe realizoi golin e vetëm të takimit. Po kalon një formë të mirë dhe kjo shihet ndeshje pas ndeshje me fanelën e Bylisit. Me trajnerin Shensoi duken të lumtur, teksa të gjithë po tentojnë të japin maksimumin.

Dijar NIKQI – E nisi si titullar ndeshjen me Kastriotin dhe në fund shpërbleu besimin e trajnerit Orges Shehi. Sulmuesi i talentuar arriti të realizonte në minutën e 100-të të takimit duke i dhënë 3 pikë mjaft të rëndësishme skuadrës së Tiranës. Bardheblutë vijojnë të kryesojnë në elitë dhe sigurisht për këtë javë ka meritë kryesorë Nikqi me golin e realizuar me kokë.

TRAJNER GIOVANI COLELLA

Kjo javë e Superiores pati shumë surpriza dhe për trajnerin e javës ishte disi e vështirë për të vendosur. Bylisi i Shensoit fitoi në transfertën e Laçit, Tirana e Shehit në fushën e vështirë të Kastriotit dhe Partizani i Colellës bëri mrekulli në shtëpi ndaj Erzenit pretendent. Bazuar në rrethanat se si rrodhi sfida, Newsport.al ka zgjedhur pikërisht trajnerin Giovani Colella si më të mirin e javës. Prej minutës së 5-të, Partizani i tij mbeti në fushë me 10 lojtarë. Megjithatë ai diti si t’i motivonte të gjithë futbollistët që bënë të mos ndihej inferioriteti numerik me shijakasit. 3 gola të shënuar me 10 lojtarë përballë një Erzeni që i ka hapur punë çdo kundërshtari, padyshim janë shumë. Meritë kryesore ka italiani Giovani Colella që më në fund arriti të merrte një fitore bindëse në drejtimin e 16 herë kampionëve të Shqipërisë.

[caption id="attachment_681206" align="alignnone" width="505"] Formacioni i javës së 22-të të Superiores[/caption]

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga