Kategoria Superiore uli “siparin” për javën e pestë të këtij sezoni futbollistik. Lojtarë që shkëlqyen dhe spikatën duke qenë ndër më të mirët në skuadrat e tyre. Newsport.al ka përzgjedhur formacionin e javës nga porta e deri në majën e sulmit.
Padyshim që një vend kryesor zë edhe trajneri, që këtë javë i “faturohet” Partizanit me fitoren e rëndësishme në transfertë me Kukësin.
FORMACIONI I JAVËS:
Aldo Teqja – Bylis barazoi pa gola me Egnatian dhe meritë kryesore në këtë pikë të marrë ka portieri Teqja. I huazuar nga Partizani, vlerat e tij i tregoi në javën e pestë të Superiores. Porta mallakastriote u shndërrua në pikë qitje, por Aldo nuk lejoi të tundej rrjeta. Prej vitesh pjesë e elitës, tregoi edhe një herë se ballshiotët kanë një vlerë të madhe në organikë këtë sezon futbollistik.
Esat Mala – “Xholi” i skuadrës së Vllaznisë. Çfarë lojtari kanë fituar shkodranët në këtë merkato vere. Njohës i mirë i kampionatit shqiptar, shtashkurtri e bëri “autostradë” linjën e djathtë të fushës. I pamarkueshëm në sulm dhe shpesh duke ndihmuar prapavijën me kthimet e tij. Duket sikur ka një “jetë” te Vllaznia e Mirel Josës.
Eneo Bitri – Vrapon pa pushim, jep zemër skuadrës dhe tregon lidhjen e ngushtë me tifozët e kuq. Qendërmbrojtësi i Partizanit është i jashtëzakonshëm në një Kukës ku atmosfera është e tensionuar. Realizon me kokë duke zbatuar me përpikmëri udhëzimet e trajnerit duke i dhënë në këtë mënyrë 3 pikë të arta Partizanit kryesues.
Gëzim Krasniqi – Ka shëtitur prej vitesh kampionatin shqiptar, por këtë sezon duket se është rikthyer edhe një herë në kulmin e karrierës. Eksperienca në Superiore i ka dhënë një marsh më shumë dhe shiriti i kapitenit e ka ngarkuar me përgjegjësi te Erzeni. Shijakasit surpriza e elitës në këtë sezon futbollistik. Fitore pas fitoreje, asnjë gol i pësuar. Me meritë në vend të dytë, me 1 pikë më pak se Partizani.
Paulo Buxhelaj – Lojtar dhe bast i fituar nga Akademia e Partizanit. Mëngjërashi është vetëm 19-vjeç por në linjën e majtë të prapavijës ka treguar cilësi dhe potencial të madh. Edhe kundër Kukësit ra në sy për lojën e mirë të zhvilluar. Ka arritur të spostojë në stol Atanaskoskin dhe duket se do të jetë pasardhësi i denjë i Lorenc Trashit. Le të presim.
Amir Kahrimanovic – Erzeni nuk ndalet javë pas jave dhe meritë të madhe ka edhe mesfushori kroat. Kundër Laçit ishte protagonist me golin e shënuar. Përgjegjësia ishte e madhe të marrësh sferën për të goditur penalltinë në minutat shtesë. Por, besimin e dhënë e shleu më së miri. Një vend të veçantë në formacionin titullar të kësaj jave.
Florian Kadriu – Fitorja e Erzenit 1-0 kundër Laçit padyshim që ishte surprizë në këtë javë që lamë pas të Superiores. Herë si mesfushor i majtë e shpesh edhe në sulm, Kadriu shkëlqeu kundër kurbinasve. Një skuadër e formuar vonë, por që po tregon cilësi të mëdha në këtë fillim sezoni futbollistik në Superiore.
Sherif Kallaku – “Ma sillni te Tirana dhe do ta bëj unë”, këto kanë qenë fjalët e Orges Shehit në këtë merkato vere. Fantazisti ka rigjetur formën e munguar te Tirana kampione. I “palexueshëm” në veprimet e tij, i ka dhënë tjetër dimension mesfushës bardheblu. Merret vesh me symbyllur me Redon Xhixhën, që vetëm fundi i rrjetës mund ta ndalojë.
Tedi Cara – Duket se e kishte vendosur që në Kukës do të fitonte me çdo kusht. Me djersë apo me gjak, pak rëndësi kishte për të. Në fund doli me 7 të qepura, por edhe me fitoren në xhep nga Kukës Arena. Edhe pse vetëm 15 minuta në fushë, grinta e djaloshit dhe vendimi për t’u kthyer nga spitali sërish në pankinë, i japin atij meritën për të qenë pjesë e formacionit titullar. Edhe mjeshtëria e goditjes së dënimit nga ku erdhi goli i parë, e bëjnë atë ndër kryesorët te Partizani.
Ardit Hoxhaj – Jepi një top, fute në fushë dhe shko merre sferën në fundin e rrjetës kundërshtare. Çfarë nuhatje ka me golin sulmuesi vlonjat. Shënoi në minutën e dytë me Vllazninë duke i dhënë 3 pikë të arta kundër një Kastrioti mjaft grintoz. Gjithmonë vendimtar me golat e tij e përherë duke shënuar atëherë kur ka nevojë skuadra.
Redon Xhixha – Laçi me siguri e “qan me lot” largimin e djaloshit kurbinas në merkaton e verës së shkuar. Tirana ka fituar një lidër të ri në sulm. Largimi i Taulant Seferit nuk ndihet. Ndaj Teutës u shënuan 4 gola, ku 3 prej tyre i realizoi Redoni. Prej 2016-tës nuk kishte “Hat-Trick” te kampionët e Shqipërisë dhe në ndeshjen e fundit një gjë të tillë e bëri Xhixha.
TRAJNERI I JAVËS: Giovani Colella
Partizani fitoi kundër Kukësit në transfertë, një ndeshje që i pati të gjitha brenda veç kartonit të kuq. 2 gola të realizuar nga të kuqtë i dhanë 3 pikë të rëndësishme kryeqytetasve që vijojnë të kryesojnë Abissnet Superiore pas 5 javësh. Trajneri italian erdhi me mjaft bujë në Shqipëri për karrierën e tij negative në vendin tonë para dy sezonesh me Apoloninë. Por, me Partizanin ka befasuar nga ndeshja në ndeshje, ku deri më tani ka marrë 4 fitore dhe është mposhtur në një 1 ndeshje nga Erzeni. Mes Kapllanit që fitoi me Laçin dhe Colellës në Kukës, kemi përzgjedhur italianin për mënyrën se si shkoi sfida me verilindorët.
[caption id="attachment_659054" align="aligncenter" width="480"] Formacioni i javës[/caption]