Dy vogëlushë që po mbajnë të mbërthyer sytë e përdoruesve të rrjeteve sociale me fotot që tashmë po shpërndahen masivisht. Janë dy tifozët e vegjël me mustaqe, me kaçurrela dhe kostume popullore që i kanë dhënë një kuptim të veçantë këtij Europiani me praninë e tyre dhe mesazhin e përcjellë.
“Prania e një fëmije largonte frikën nga vandalizmat e mundshme”, thotë babi i Ken Krist dhe Harry Gjergj në një intervistë ekskluzive për newsbomb.al.
Klev Lumshi, teksa nxiton të kapë avionin, pranon të ndajë me lexuesit tanë online emocionet e Francës nga ku provoi emocione të papërsëritshme jo vetëm falë djemve të kombëtares por edhe falë të qenit babai i këtyre vogëlushve të mrekullueshëm që kanë bërë për vete vendas e të huaj, anë e kënd botës...
-Vogëlushi Ken Krist ka mahnitur të gjithë ata që e kanë parë në stadium por edhe nëpër rrjetet sociale. Si kjo lidhje e tij kaq e forte me futbollin e kombetares?
Është thjesht fjala KOMB!
-Por Keni nuk është i vetmi tifoz i kombëtares që ra në sytë e të gjithëve. Vëllai i tij gjithashtu tërhoqi vemendje. Ai është më i vogël, apo jo? Si e përjetoi gjithë këtë?
Është vetëm 3 vjeç dhe patjetër që u kenaq por edhe u lodh sepse ishin ditë të gjata dhe të ngarkuara. Ne si prinder u munduam që çdo gjë ta trajtonim si argetim.
-Pse vendosët të shkonit në Francë me dy vogëlushët tuaj dhe t'i vishnit ata me kostum popullor?
Shkuam në Francë pasi pjesëmarrja e Shqipërisë ishte historike dhe në donim të ishim dëshmitarë të kësaj historie. Për veshjen e ndjemë dhe menduam se është e bukur. Nuk është hera e parë. Jemi veshur ashtu edhe per 100 vjetorin e pavarësisë.Nuk mund të mungonin në Francë dhe donim të tregonim diçka unike, tradicionale... Dhe nuk ka gjë më speciale se kostumet tona popullore. Vendi ynë ka edhe shumë vlera të tjera për t’i treguar botes.
-Si u komentua kjo nga vendasit atje? Mbani mend ndonjë moment të veçantë apo koment pikant?
U pëlqye shumë dhe të gjithë na uronin për mesazhin që përçonte. Prania e një fëmije largonte frikën nga vandalizmat e mundshme. Të gjithë njerëzit nga vende të ndryshme kërkonin të fotografoheshin dhe të kishim kujtim me tifozat e vecantë.
-Po ju si baba, si u ndjetë mes këtyre dy tifozëve kaq specialë?
Ndjesi që nuk mund të përshkruhet në këto momente emocionuese.
-Momenti i golit të Sadikut. Na tregoni pak për emocionet dhe reagimet e djemve tuaj?
Nuk mund të pershkruhet! Emocionet vazhdojnë akoma, por dua të them që rrallë vijnë raste të tilla dhe ne donim të ishim aty ku shkruhej historia e futbollit shqiptar. Në jemi të lumtur familjarisht që u bëmë pjesë e këtij eventi, që na dhuruan djemtë e mrekullueshem të kombëtares dhe trajneri De Biazi.
-Kryeministri Rama kishte shpërndarë gjithashtu foton e djalit tuaj. Çfarë domethënie ka për ju kjo?
Nuk është hera e parë që Kryeministri Rama shpërndan foton e djalit tim (buzëqesh). Shpresoj që imazhi i dy djemve të mi, ashtu si i gjithë tifozëve kuq e zi, pra e gjithë kjo mrekulli kuq e zi, të shërbejë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë.
-Gjëja më emocionuese që do e kujtoni për shumë gjatë?
Janë shumë gjëra, por nuk harrohet se gjatë ditëve të ndeshjes të gjitha qytetet Lens, Marseja dhe Lioni flisnin, gëzonin dhe këndonin shqip. Kjo fitore mund të jetë fillimi i një kthesë se si bota do ti shohë përfundimisht shqiptarët .Dhe se si ne shqiptarët do shohim veten tonë.
-Për ta mbyllur... Duam të ndani me lexuesit e newsbomb.al ndonjë koment të Ken Krist dhe Harry Gjergj që s'e hiqni dot nga mendja në këtë europian ëndrrash!
Nuk më del nga mendja reagimi i djalit të vogël Harry Gjergj pas humbjes me Zvicrën moment prekës shumë i ndjeshëm të cilin e kam fotografuar. Ndërsa Ken Krist gjithë kohës para shënimit të golit thoshte me vetëbesim: Nuk dalim nga stadiumi po nuk bëri gol Shqipëria.
Për momentet e tjera mund të them se ende me jehojnë në kokë këngët me zërat e tyre:
Shqipërinë e dua, se jam Shqipëtar,
Kosovën e dua, se jam Kosovar!
Shqipri, kombi ynë!
Shqipri, kombi ynë! .......
(Foto: Momenti kur vogëlushi shpërthen në të qara pas humbjes me Zvicrën)