Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi ishte i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në 6+1 Vlora TV. Kreu i vlonjatëve preku disa tematika të rëndësishme për klubin si ndërtimi i terreneve sportive, çështjen e arbitrave, si dhe ecurinë e skuadrës.
“Edi Rama është detaist në shumë gjëra, donte të shikonte edhe njëherë opinionin e këtyre për zhvillimin e disa fushave, terreneve që janë aktualisht. Flamurtari është ndër klubet e vetme në Shqipëri që nuk ka asnjë terren sportiv, jemi të vetmit. Shkodra ka disa fusha, Fieri ka, Lushnja ka, Korça ka, Durrësi ka. Të gjithë kanë, ne jemi të vetmit që nuk kemi.
Kjo nuk është pasojë e kokëforcisë tonë në mënyrën e bashkëpunimit me FSHF. Janë disa gjëra në aspektin e menaxhimit të klubit, flas nga ana kapitaliste e manxhimit, kemi patur disa gjëra që nuk janë zgjidhur akoma. Okej, kanë marrë rrugën e zgjidhjes përfundimtare, por ka qenë një mungesë e jashtëzakonshme gjatë pritjes. S’ishte nevoja të pritej 10 vjet që të ktheheshin në zona të investimit sportiv”, tha Idrizi.
Administrimi i klubit me 1 vit?
Unë jam gjithmonë i fundit që jap ofertën. Në momentin që unë jap ofertën, nuk afrohet njeri. Pse është bërë me 1 vit, ka menduar që Flamurtarin ta nxjerrim në Superiore dhe pastaj të hapet tenderi kur Flamurtari të jetë në Superiore. Mos u merrni me gojëligët që thonë se e rrëzuan qëllimisht për ta blerë lirë. Histori që nuk ia vlen të komentohet fare.
Rikthimi në Superiore?
Ne nuk ëndërrojmë, ne jemi duke punuar që në terren. I bëjmë një llogari të thjeshtë: Nëse pikët e vjedhura me Elbasanin do t’i kishim sot, nëse 3 pikët e vjedhura me Burrelin do t’i kishim sot, si do të ishte renditja në tabelë? Kemi bërë ndeshje të dobëta, kemi bërë ndeshje shumë të mira, kemi ndërruar staf, ky është problemi dhe përgjegjësia jonë. Po përgjegjësia e organizatorëve të garës cila është? Keni dëgjuar ju që organizatorët e garës të dënojnë ndonjë arbitër në masakrat që i ka bërë Flamurtarit historikisht.
Pa bërë qarramanin, ka gabime njerëzor, por kur një gjë bëhet lineare kundër qytetit, ekipit, tifozërisë… Unë kam bërë një denoncim për një drejtues të Federatës si i deleguar që ka provokuar turmat. Nëse do të kishte ndodhur një gjë atë ditë, nëse një fëmi, 2, 3, 4 apo 5 fëmijë do të kishin krijuar një ngjarje dhe do të ishte prishur qetësia sociale, kush e ka përgjegjësinë? Unë, organizatori i garës.
Ecuria e Flamurtarit?
Kishim nja 2 barazime. Profesor Eqeremin e kanë marrë mësysh, me Lushnjen dhe sidomos ajo me Burrelin që ishte për t’u harruar, pjesa tjetër është shumë optimiste. E përsëris, gotën edhe pse e kam pak ujë tani, unë e shoh gjysëm plot.