Taulant Seferi ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes së Kombëtares kundër Moldavisë. Ish sulmuesi i Tiranës që tanimë luan në Ukrainë tregoi përshtypjet e para të përgatitjeve para këtyre sfidave të vlefshme për EURO 2024.
Seferi u shpreh se kuqezinjtë kanë objektiv të vetëm në këto dy takime vetëm 6 pikët. Sulmuesi i njohur deklaroi para gazetarëve:
“Çdo kundërshtar është i vështirë. Nuk janë emrat ata që e bëjnë një skuadër futbolli. Duhet të jemi 100 përqind të përqëndruar në çdo ndeshje. Fokusi ynë është të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje.
Skuadra? Në një intervistë që kemi pasur në grumbullimin e parë kam thënë që trajneri i ri ka sjellë një harmoni të madhe. Të gjithë çunat jemi bashkë. Po e dalloj se jemi shumë të lumtur. Me Moldavinë kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Këto ditë po punojmë shumë mirë. Jemi një grup shumë i mirë dhe shumë pozitiv.
Kemi ardhur këtu për të marrë maksimumin e këtyre ndeshjeve. Më pas do të flasim me pozitivitet pas 6 pikëve.
Situata në Ukrainë? Nuk dua të flas shumë për këtë temë. Ukraina po e ndjen shumë. Atje po bëhet luftë. Nuk kam folur shumë me Mitajn për këtë gjë. Unë jam aty dhe kam parë shumë gjëra. Shpresoj që sa më shpejt të ndalojë se nuk është një gjë e mirë.
Tifozët? Ata janë shtysë e madhe e jona. U bëj thirrje të gjithëve që të vijnë sa më shumë. Me ata jemi më të fortë. Kemi nevojë për ata, padyshim.
Moldavia dhe Ishujt Faroe në mbrojtje? Ne sulmuesit jemi për të zgjidhur ndeshjen. Pesha është e gjithë skuadrës. Ne duhet të shënojmë gola, pse jo.
Jeta në Ukrainë? Unë kam firmosur në momentin e fundit te Vorskla. Bëra maksimumin në Shqipëri. Ka qenë shumë e vështirë për familjen time. Në atë zonën që jemi ne, është më e qetë. Por, nuk është kampionat normal. Ka ndodhur që ndeshja të ndërprehet në minutën e 70-të apo 80-të. Por, të shohim se çfarë do të ndodhë”.