
Tirana ia doli të mposhte me shifrat 3-2 Dinamon në “Air Albania”. Një fitore spektakolare e bardhebluve, të cilët rikthehen te 3 pikët në kampionat pas 7 javësh.
Një triumf shumë i rëndësishëm për kryeqytetasit të cilët ndodhen vetëm 1 pikë larg “Final – Four” dhe në këtë mënyrë lënë një rival direkt pas vetes. Por fitorja në derbi është e veçantë edhe për dy arsye.
Fillimisht Erbin Fagu mori fitoren e parë në kampionat në stolin e Tiranës dhe këtë e bën pikërisht në derbi ndaj Dinamos. Morali i skuadrës tashmë ngrihet për sfidat e radhës.
Por jo vetëm kaq, bardheblutë me fitoren ndaj dinamovitëve thyen edhe “tersin” Air Albania që kishin në këtë sezon. Tirana në 6 ndeshjet që kishte kuajtur në “Air Albania” nuk kishte fituar në asnjë rast. Bardheblutë njihnin 2 barazime me Dinamo Batumi dhe Partizanin, si dhe 4 humbje ndaj Besiktas, dy herë në derbi dhe e fundit me Skënderbeun. Fitorja e fundit datonte më 21 janar të vitit të kaluar, kur mposhtte Bylisin 4-1 në ndeshjen e fundit të fazës së tretë.