
Femrat në televizionin shqiptar kanë qenë gjithnjë të pranishme, madje duke “mbizotëruar” mbi meshkujt le të themi përsa i përket moderimit të emisioneve të ndryshme.
Teksa përsa i përket futbollit jemi mësuar të shohim më shumë gazetarë të gjinisë mashkullore, madje të gjithë komentatorët janë të kësaj gjinie. Ose le të themi kanë qenë që të gjithë, pasi komentimit të ndeshjeve u është shtuar një femër në televizionin shqiptar.
Qeqa Krelani, moderatorja sportive shqiptare, e cila është shumë e njohur ka bërë historinë duke komentuar ndeshje futbolli. Krelani ka qenë komentatore në sfidat e Botërorit të Femrave, duke e mbajtur mjaft mirë mbi “shpatulla” këtë sfidë.
Në një interevistë ekskluzive për NEWSPORT.AL, Qeqa tregon për eksperiencën e komentimit, si gazetarja e parë shqiptare që e bën këtë, madje përmend dhe dashurinë e madhe që ka për futbollin.
- Si ndihesh si komentatorja e futbollit e parë femër në televizionet shqiptare?
Ndoshta pse është punë me shumë përgjegjësi dhe ka vëmëndje të madhe nuk po mundem që ta shijoj si duhet, ose të mendoj se është një arritje historike. Vetëm në momentin që ma rikujtojnë, unë filloj dhe e procesoj pak, por ndoshta kur të plakem do ta kuptoj se ç’ka do të thotë të jeshë e para.
- Si ishte eksperienca e komentimit dhe sidomos në një kompeticion si Botërori i Femrave?
Në fakt të komentosh Botërorin e Femrave është më e vështirë sepse futbollistet nuk i njohin botërisht siç njohin futbollistët. Kërkon më shumë studim dhe investim kohor. Mburrem që mu dha përgjegjësia të komentoj ngjarjen më të madhe në botë dhe nuk do ta harroj kurrë. Në të ardhmen kam me çfarë të mburrem para fëmijëve të mi.
- A mendon se në një të ardhme të afërt apo të largët do të komentosh dhe futbollin e meshkujve?
Kam komentuar edhe futboll të meshkujve. Në Europa League dhe Përfaqësuesen e Kosovës, por e kam bërë në çift. Një ndjenjë e papërshkrueshme.
- Ka flirtuar ndonjëherë ndonjë futbollist gjatë një interviste apo qoftë dhe me një mesazh?
Nuk e di pse, por me mua nuk flirtojnë. Jam natyrë serioze dhe nuk flirtoj. Profesioni më ka bërë që të jem shumë e ftohtë në komunikim.
- Ndihesh më mirë në moderim apo në komentim?
Moderimi më jep siklet. Më duket vetja sikur robot. Moderimi ka shumë korniza. E pëlqej por nuk do ta zgjedhja para komentimit ose analizave. Më pëlqen liria dhe këtë ma dhuron komentimi ose analiza që bëj në studio televizive.
- Nëse një ditë do të ndaje rrugët me futbollin, cila do të ishte arsyeja?
Nëse do ngjallja babin time, ose nëse do të sakrifikohem për familjen time.
- A mendon se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenjë një Kombëtare të përbashkët?
Ishalla jetoj mjaftueshëm për ta përjetuar një moment të tillë. Unë njëherë nuk e kuptoj pse kemi dy përfaqësuese. Kjo gjë s’duhet të ketë shpëtim, vetëm vonim.
- Ekipi më i mirë shqiptar momentalisht?
Jam tifoze e Vllaznisë. Laçi është ekip fabrike në Superligë. Paritzani është një skuadër e përkëdhelur. Urime titulli, por kur e fituan mu duk sikur ato dhuratat e paketuara dhe të porositura sikur Babadimri i Vitit të Ri që na i sillte dhuratat me porosi.
- Cili trajner shqiptar mendon se ka më shumë aftësi të drejtojë një ekip me emër në Europë?
Ilir Daja, Ilir Daja dhe prap Ilir Daja. Më kujtohet në vitin 2019 në debatet sportive në Shqipëri. E kërkoja dhe bëja zhurmë që si trajner të vinte në Kosovë. E kam idhull. Çfarë ka bërë Daja për 1 vit në Kosovë, trajnerët kosovarë nuk kanë mundur ta bëjnë për 23 vite.
- Ballkani, Struga apo Partizani? Cila nga ekipet shqiptare do të arrijë grupet e Conference League?
Ballkani. Është bërë institucion duke iu falenderuar Ilir Dajës.
/Nikoll Rajta/