Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

EKSKLUZIVE/ Sot mëson TIRANËN si të fitojë, Mirza ALIBEGAJ mes të shkuarës dhe të ardhmes: Ishim brezi i fundit profesionist, fokusi im është vetëm...

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ Sot mëson TIRANËN si të fitojë, Mirza ALIBEGAJ

Basketbolli shqiptar mësoi ditën e shtunë fituesit e rinj të Kupës së Shqipërisë për vitin 2019. Teuta (meshkuj) dhe Tirana (femra) u kurorëzuan si kampionët e rinj të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të basketbollit shqiptar.

Vajzat bardheblu patën një avantazh të madh këtë vit për të mposhtur rivalet e Flamurtarit, ish-kampionen e basketbollit shqiptar Mirza Alibegajn. Në rolin e trajneres, ajo organizoi skuadrën drejt titullit të parë të këtij viti, në edicionin debutues si trajnere e Tiranës.

Megjithatë, ekipi nuk do të mjaftohet vetëm me këtë trofe. Në një intervistë për Newsport, legjenda e basketbollit shqiptar e dekoruar me titullin "Naim Frashëri" theksoi se për arritjen e këtij suksesi, ekipi është ndërtuar në mënyrë të kujdesshme.

Përveҫ ngjyrave të Tiranës, ajo flet dhe për ngjyrat e kombëtares. Duke parë rënien drastike vitet e fundit të vajzave kuqezi në eliminatoret europiane dhe botërore, Alibegaj shton se kriza nis që te impenjimi i lojtareve për të arritur rezultate të larta personale dhe kolektive, si dhe në anën profesionale, që në krahasim me gati dy dekada më parë, sot mungon në basketbollin tonë.

- Përgëzime për fitoren e Kupës së Shqipërisë! Pas kësaj finaleje, besoni se ky mund të jetë viti i Tiranës, meqë në kampionat gara për titullin është shumë e ngjeshur mes skuadrave?

Faleminderit për urimin! Mendoj që kemi realizuar një nga qëllimet që ka ky vit kalendarik sportiv për ne. Normal që ne shkojmë për të luftuar edhe për kampionat, edhe për superkupë.

- 13 vite që Flamurtari i femrave dominon në kampionatin shqiptar. Mendoni se kjo është një shenjë që niveli I basketbollit tonë ka rënë?

Nuk mendoj që ka rënie, por këto 13 vite është luftuar dhe nga ekipet e tjera, por për arsye të ndryshme nuk kanë pasur fatin ta fitojnë titullin.

- Disa muaj më parë në një postim në "Instagram" pas një ndeshje me Flamurtarin thatë se me Tiranën mund të luajë kushdo, pavarësisht prejardhjes. Ju bezdis trysnia e tifozëve për një ekip me vajza vendase kryeqytetase?

Jo, nuk e kam patur me tifozët, por me lojtaret që e mendojnë Tiranën pronën e tyre private. Sot Tirana është e të gjithëve atyre, që janë lindur këtu dhe e atyre që jetojnë dhe punojnë në Tiranë si dhe luajnë për Tiranën, pa vendosur kushte për interesa personale.

- Si e shikoni të ardhmen e skuadrës tuaj? Ka premisa të shkojë larg?

Këtë vit kemi bërë një organizim më të mirë duke u dhënë rëndësi dhe brezave të rinj, pasi ka patur boshllëk në prurje për ekipin e parë, në lidhje me të ardhmen. Sa për këtë vit, dihet që ne do të luftojmë për kampionat dhe superkupë.

- Para disa ditësh ndatë një kujtim të Kombëtares së femrave që fituat medalje ari në "Promotions Cup" në vitin 2002? Duke krahasuar të djeshmen dhe të sotshmen, ҫfarë i mungon këtij brezi lojtaresh ndryshe nga koha kur ju luanit?

Ai brez, ashtu siҫ edhe thashë, është brezi i fundit që ka punuar si profesioniste. Sot ka problematikë në atë ҫfarë lojtaret japin për t'u bërë lojtare në raport me kërkesat e tyre ndaj ekipeve që i stërvisin ato. U mungon puna dhe dëshira e tyre për të arritur nivele të larta. Kënaqen me pak fjalë.

- Në lidhje me ambiciet personale, keni patur oferta për të drejtuar ekipe të huaja?

Është viti i parë që drejtoj vetë ekipin e Tiranës dhe me këtë rast dua të falenderoj klubin e Tiranës për besimin që ka ndaj meje, si dhe professor Roland Avramin, që 2 vitet afër tij ka qenë një shkollë e mirë për mua. Nuk kam asnjë pritshmëri për ekipe jashtë dhe më duket shumë herët kjo pyetje për mua. Fokusi im është Tirana. /Dario Velaj/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga