
Laçi u rikthye tek fitorja pas 9 ndeshjes duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 0-1 në Korçë. Një fitore mjaft e rëndësishme për ekipin kurbnias që rrit moralin e ekipit dhe i ngjit në vendin e 6-të të renditjes në kuotën e 20 pikëve.
Në një prononcim ekskluziv për “Newsport.al”, Agan Mjaki, ai që i dha fitoren Laçit në transfertën korçare, shprehet mjaft i lumtur për golin e tij të parë si profesionist. Ai gjithashtu thekson kërkon Europën me ekipin e Laçit, madje edhe Europianin me Kombëtaren u-21.
“Ndeshja me Skënderbeun ishte një sfidë me shumë rëndësi për ne. Na duheshin ato 3 pikë që të merrnim më shumë vetbesim si ekip. Jam i kënaqur që e ndihmova ekipin duke shënuar golin që na dha fitoren. Por jam i këanqur gjithashtu edhe personalisht pasi ishte një moment special për mua.
Në ndeshjen ndaj Kukësit mendoj që ekipi duhet të luajë një lojë më të mirë se sa me Skënderbeun. Mundësitë për të bërë lojë të mirë i kemi dhe ne do të futemi në fushë vetëm për fitore.
Objektivat? E kemi patur një fazë me shumë dëmtime dhe rezultate jo të mira. Por besoj që ajo fitore në Korçë na ndihmon në objektivat e ekipit për tu ngjitur sa më lart me Laçin dhe për të kapur Europën. Përsa i përket objektivave të mia personale, unë për momentin mendoj vetëm për të ndihmuar ekipin dhe të jap gjithçka në fushë.
Kombëtarja? Me Kombëtaren kemi shumë perspektiva të mira për tu kualifikuar. I kemi edhe 5 finale dhe shpresojmë që të kualifikohemi në Europian”, është shprehur Agan Mjaki.
/Nikoll Andrea Rajta/