Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

EKSKLUZIVE/ “Partizani im kishte më shumë kualitet”, Erald Çinari ‘përjashton’ Tiranën nga gara për titull: Rival vetëm Egnatian. Rikthim si i kuq? S’diskutohet!

Shkruar nga NEWSPORT

Nga Nikoll Andrea Rajta

Erald Çinari është padyshim një nga lojtarët që ka lënë gjurmë në kampionatin shqiptar. Sulmuesi me origjinë nga Shkodra, i cili e nisi karrierën e tij tek Vlllaznia, me të cilët bëri dhe debutimin si profesionist, ka qenë një nga lojtarët më me emër në kohën kur ishte në Superiore. Gjithashtu Çinari ka veshur dhe fanellën e Partizanit. Me “Demat”, Çinari ka luajtur në sezonet 2018-2021, duke qenë shpeshherë edhe protagonist.

Në prag të derbit Tirana-Partizani që do të luhet në “AirAlbania” më 3 dhjetor, 27-vjeçari që aktualisht aktivizohet tek Shkëndija e Tetovës ka folur ekskluzivisht në një intervistë të dhënë për “NEWSPORT.AL”. Ish-i i Partizanit i hap dyert një rikthimi tek të kuqtë, teksa nuk harron derbin përballë Tiranës. Ndeshje të cilën e zgjidhi ai vetë duke shënuar një dopietë në atë fitore 2-1. Fitore spektakolare të cilën Partizani dhe Çinari e arritën më 12 maj të vitit 2019.

  • Si një ish-lojtar i Partizanit, a vazhdoni ta ndiqni derbin e kryeqytetit?

“Normalisht, ajo nuk diskutohet. Jo vetëm derbin, por nëse kam kohë të lirë mundohem që t'i shikoj të gjitha ndeshjet e Partizanit.”

  • Për cilin nga ekipet e Superiores iu merr më shumë malli, Partizanin apo Vllazninë?

“Të them të drejtën janë dy dashuri të ndryshme. Vllaznia është ekipi ku jam rritur dhe nga ku dola edhe normalisht zemra është aty. Por nuk e lë mbrapa asnjëherë as ekipin e Partizanit, ku unë kam kaluar një nga momentet më të mira të karrierës. Kam patur të bëj me njerëz shumë të mirë. Nuk e hedh kurrë poshtë.”

  • Në një të ardhme të afërt apo të largët do të riktheheshit tek Partizani?

“Nuk diskutohet që një ditë mund të kthehem. Futbolli është me shumë surpriza dhe nuk e përjashtoi asnjëherë mundësinë e rikthimit tek Partizani. Aq më tepër, kam marrëdhënie shumë të mira me presidentin Demi, drejtorin dhe me tifozët. Nuk e përjashtoi kurrë një rikthim tek Partizani.|

  • Çfarë mendon se ka më pak ose më shumë ky Partizan me atë të vitit 2019 që u shpall kampion, ku dhe ju ishit pjesë e ekipit?

“Nuk jam shumë në brendësi të gjërave tek ky ekip, pasi pjesa më e madhe e miqve të mi kanë ikur nga aty. Por në vitin që ishim ne ka pasur më shumë kualitet.”

  • Thuajse 4 vite e gjysmë më parë, ju keni qenë vendimtar në derbin e fituar 2-1 ndaj Tiranës, me dopietën tuaj. Cili mendoni se është lojtari që mund të vendosë ndeshjen e së dielës?

“E vërtetë, ndeshjet kundër Tiranës nuk harrohen kurrë. Aq më pak kur je protagonist. Për mua ajo ndeshje do të jetë një nga më të veçantat në jetën time, ku fituam dhe titullin kampion. Unë mendoj se tek Partizani do të vendosë ndeshjen Murataj ose Bilali."

  • Sa mendoni se do të jetë rezultati i ndeshjes?

"Mendoj se Partizani do të fitojë me rezultatin 1-0.”

  • Kë shihni si ekip favorit për tu shpallur kampion në këtë sezon të Superiores?

“Unë besoj me çfarë kam arritur të shoh. Partizani dhe Egnatia janë dy ekipet pretendente për titullin kampion. Mendoj kështu për atë që kam parë nga këto dy ekipe dhe nga çfarë ata kanë dhënë në fushën e lojës.”

  • Tek Shkëndija po zhvilloni një sezon të mirë deri më tani, cilat janë objektivat e Eraldo Çinarit me ekipin tetovar?

“Normalisht jemi në vendin e parë. Shpresoj ta mbajmë deri në fund. Si Çinari ashtu dhe Shkëndija i kanë objektivat e njejta… për tu shpallur kampion. Sepse edhe ekipi është i ndërtuar i tillë dhe gjithmonë Shkëndija e Tetovës ka luftuar për tu shpallur kampion.”

  • Superiorja e Shqipërisë apo liga maqedonase, cila ka më shume cilësi dhe kualitet?

“Të them të drejtën, tani për tani besoj që janë aty-aty. Nuk mendoj se njëra ka më shumë se sa tjetra. Përsa i përket kualitetit, këtu ka më shumë. Në Shqipëri janë më të organizuar si ekipe, por për kualitet, në ligën e Maqedonisë ka më shumë.”

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga