Ende s’është bërë zyrtare, por aventurës së Orges Shehit te Tirana i ka ardhur fundi. Edhe mbrëmjen e djeshme, trajneri i njohur la të nënkuptohej se do të zgjidhte të vijonte karrierën në një klub tjetër. Orët e fundit kanë qarkulluar lajme se kishte një ofertë nga Shkëndija e Tetovës, por ende nuk kishte vendosur për të ardhmen e tij.
Situata tanimë ka ndryshuar thuajse tërësisht. Interesi për të pasur në stafin teknik Orges Shehin është i madh edhe në Superligën shqiptare. Burime të besueshme pranë klubit të Vllaznisë bëjnë me dije se drejtuesit shkodranë kanë shprehur hapur pëlqimin për durrsakun. Të njëjtat burime tregojnë për Newsport.al se palët janë në negociata, por ende s’është vendosur asgjë.
Nga ana tjetër, Shkëndija e Tetovës po pret një përgjigje përfundimtare nga Shehi pasi koha nuk premton për të nisur përgatitjet. Të dy klubet do të luajnë në Europë dhe kësisoj duhet nisur sa më parë nga puna. Pritet të shihet se çdo të ndodhë me Shehin, që tanimë në “pole-position” është futur edhe Vllaznia.
Kujtojmë që Orges Shehi bëri një punë fantastike këtë edicion futbollistik me Tiranën. Trajneri durrsak e çoi ekipin pranë titullit kampion duke përfunduar sezonin me pikë të barabarta me Partizanin. Edhe pse organika që kishte në dispozicion nuk ishte e plotë, falë aftësive të tij arriti t’i hapte punë çdo kundërshtari duke qenë kandidat potencial për titullin kampion. /Retin TOKA/