Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

Ekskluzive / Nga Amerika në Vlorë, rrëfehet Daniel Xhafaj

Shkruar nga NEWSPORT

"Bomberi" i dekadës së fundit të Superiores, autori i 208 golave, vlonjati Daniel Xhafaj rikthehet në vëmendjen e sportdashësve shqiptarë. Tashmë jo në rolin e një sulmuesi apo specialisti sportiv, por si një trajner shqiptar që ushqen ëndrrën e tij duke stërvitur skuadrat e moshave në Amerikë.

Ka luajtur për një sërë skuadrash në Superiore; nga Flamurtari te Bylisi, nga Besa te Skënderbeu e nga Partizani te Teuta, Elbasani, Tirana e Dinamo e shumë ekipe të tjera ku vlonjati ka bërë epokë, të gjithë e kujtojnë si "Njeriu gol".

Xhafaj e la futbollin në marsin e vitit 2015, pas ndeshjes Dinamo - Bylis e luajtur për Kategorinë e Parë, ndërsa është zhvendosur familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vazhduar jetën dhe ëndrrën e tij, tashmë një trajner i skuadrave U-15 në ekipin Celtic Club.

I intervistuar nga "newsport.al", Xhafaj rrëfen arsyet pse ka emigruar drejt Amerikës, apo nëse vajzat e tij do të bëhen sportiste si i ati. Flet për Kombëtaren, dënimin e Skënderbeut, zhvillimin e Flamurtarit dhe debutuesin Korabi.

[caption id="attachment_14664" align="aligncenter" width="770"]danieli trajner Daniel Xhafaj me skuadrën e tij Celtic U-15 në SHBA[/caption]

Danieli në Amerikë, pse pikërisht ky shtet?

Të them të drejtën, pas lënies së sportit situata nuk ishte më në favorin tim, ishte ndryshe nga çfarë mendoja. Jeta nuk varej nga mundësitë e mia, por nga të tjerët. Ata që mendonim se ishin miq, nuk dolën ashtu siç duhet. Në jetë jam mësuar që të eci me forcat e mia dhe jo me të të tjerëve, ndaj vendosa që të emigroj, edhe për të mirën e fëmijëve.

Me se merret Xhafaj në SHBA?

Konkretisht, ishte i vështirë fillimi, por për fat të mirë një ish-futbollist dhe ish-trajner i Tiranës, Antonio Naçi, më ndihmoi për integrimin tim në Amerikë. Përveçse paradite kam një biznesin tim, javën tjetër do të nis fazën ekipin tim Celtic Club, është akademi futbolli. Jam drejtor për moshat nga 14 deri në 19 vjeç. Kam ekipin tim U-15, me të cilin do të nis përgatitjet të hënën. Absolutisht nuk mund të shkëputem nga futbolli dhe mendoj se kam shumë për të mësuar, por gjithashtu kam shumë për të dhënë për futbollin.

[caption id="attachment_14665" align="alignleft" width="300"]Daniel Xhafaj kur fitonte trofeun "Topi i Artë" në kampionatin shqiptar Daniel Xhafaj kur fitonte trofeun "Topi i Artë" në kampionatin shqiptar[/caption]

A ke ndonjë shqiptar në ekipet që stërvit?

Po, kam. Quhet Bexhet Shehu, është patrioti im nga Vlora, është 14 vjeç dhe ka kualitete si një vlonjat që është. Shpresoj shumë që të investoj dhe ta shtyj këtë djalë që të jetë i gatshëm për ekipet kombëtare, sepse ka vërtet kualitete.

E ndoqe kombëtaren në Francë?

Sigurisht, isha i ftuar atje dhe falënderoj FSHF-në. Do të doja shumë të isha me pjesën tjetër të grupit. Duke udhëtuar me familjen qëndrova pak jashtë grupit. Por, falënderoj FSHF dhe presidentin Armando Duka për vlerësimin që më bëri.

Çfarë mund të bënte më shumë Kombëtarja në Francë?

Bëri gjithçka. Bëri më të rëndësishmen, rriti imazhin e futbollit shqiptar. Shumë njerëz në Amerikë nuk e njihnin kush ishte Shqipëria, por e panë dhe shfaqën simpatinë për ne. Shqipëria nuk është më e panjohur, disa shokë nga shtete të ndryshme nuk e njihnin Shqipërinë, por pas Europianit e njohin më së miri. Kush merret me sport, e di tashmë kush është Shqipëria.

Në një vlerësim specialisti, ku mund të arrinte kombëtarja?

Shqipëria mori maksimumin për herë të parë që shkoi në këtë kampionat, ka bërë diçka shumë të mirë.

Keni dy vajza, ndonjëra nga vajzat do merret me sport?

Kur kanë qenë të vogla i kam integruar, por nuk dua që fëmijët e mi të merren me sport. Do të jetë më mirë të merren me diçka tjetër dhe jo me sport. Ndaj kam emigruar këtej, që vajzat të integrohen me diçka tjetër.

[caption id="attachment_14666" align="alignleft" width="300"]Daniel Xhafaj kur luante me fanellën e Tiranës gjatë derbit të Shqipërisë Daniel Xhafaj kur luante me fanellën e Tiranës gjatë derbit të Shqipërisë[/caption]

Kampionati shqiptar, Flamurtari?

Flamurtari nuk bën më lajm. Lajm përbën kur Flamurtari të kthehet pretendent me ekipet që bën. Nuk e di sa të vërteta janë ato që thuhen. Atje shumë gjëra shkruhen, por nuk e di sa të vërteta janë ato që shkruhen. Kam ndjekur me vëmendje përgatitjet te Flamurtari. Më vjen mirë për profesor Maganin që shkoi. Ka shumë për të dhënë për sportin, ka korrur suksese dhe e vlerësoj si njeri punëtor. Bëhem pesimist për të ardhmen, sepse janë të njëjtët persona rreth Flamurtarit. Duke qenë të njëjtët, të tillë janë të gatuar, dhe nuk besoj se do t'i ndryshojë profesor Magani.

Skënderbeu aktualisht ka marrë një vulë të zezë, ç'mund të na thuash?

Është lajm i keq për të gjithë futbollin shqiptar. Nuk e di dënimin e plotë, por e them me bindje që ky klub bëri histori si kombëtarja. Është fatkeqësi që ky klub të marrë një dënim. Shpresoj që ta kalojnë situatën sa më shpejtë dhe të rikthehen e të na kënaqin si kombëtarja.

Korabi është ekipi që këtë vit debuton në elitë, çfarë mendimi keni?

Skema që ka përdorur FSHF me 10 ekipe në Superiore është perfekte për faktin se do të ketë rivalitet për daljen kampion dhe për rënien. Fati i keq i këtij kampionati është sepse në 10 skuadra 1 ose 2 kanë probleme financiare. Do të doja që FSHF-ja të mos tolerojë ekipet që nuk përmbushin kriteret për të garuar në Superiore. Më mirë të vijë një ekip nga Kategoria e Parë që përmbush kriteret, sesa një skuadër që garon, por nuk ka kushte.

Një mesazh të fundit nga Danieli...

Përshëndes të gjithë sportdashësit në Shqipëri dhe jo vetëm. Uroj që Superiorja dhe kampionati në Shqipëri të njohin suksese të mëdha dhe të ketë sa më shumë përkrahje në stadiume!

 

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga