Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

EKSKLUZIVE/ Mevlan ADILI hap "kartat": Tiranës ia hoqi titullin aleati i vjetër, Partizani lindi djalë pas 10 vajzave

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ Mevlan ADILI hap "kartat": Tiranës ia hoqi titullin

Bylisi ishte skuadra e dytë që nuk ia doli të mbijetonte në Superiore për sezonin e ardhshëm. Tashmë që në sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë nga rradhët e skuadrës ballshiotë u larguan plot 13 lojtarë, mes tyre Mevlan Adili. Mbrojtësi zhvilloi një sezon fantastik, duke u shndërruar në një lojtar kyç në formacionin e Naxhi Shenoit.

Pikërisht Adili i “hoqi” titullin Tiranës, pasi goli i tij bëri që sfida të kishte me një fund dramatik 2-2. Në një intervistë për “Newsport.al” qendërmbrojtësi ka “analizuar” gjithë sezonin. Zërat e merkatos e lidhin te Partizani, si qëndron e vëreta? Këto dhe shumë të tjera i gjeni më poshtë:

Abissnet Superiore mbylli një sezon sa të luftuar aq edhe emocionues. Si ishte për ju ky kampionat? Mendoj që ky sezon ishte shumë i luftuar. Skuadrat bënë shumë gabime gjatë rrugës dhe kjo ishte një nga arsyet që deri në javën e fundit u luftua shumë. Ishte një kampionat i paparashikueshëm, i "çmendur".

Bylis ra nga kategoria, çfarë nuk shkoi siç duhet në Ballsh? Ishim një ekip simpatik dhe nuk meritonim aspak të binim nga kategoria. Mirëpo jo çdo gjë është në dorën tonë dhe ky është futbolli që ndonjëherë të dënon.

Pas humbjes me Vllazninë, çfarë ju thanë drejtuesit? Normalisht të gjithë ishim të mërzitur. Nuk e pritëm aspak atë rezultat. Të paktën kërkonim ta mbyllnim me fitore dhe në fund pjesa tjetër nuk ishte në dorën tonë.

Ju keni luajtur në Shkodër, si ndjeheni për kualifikimin Vllaznisë në Europë? Ashtu siç shkuan gjërat dhe si dolën rezultatet e skuadrave të tjera, më erdhi mirë që Vllaznia shkoi në Europë. Më shumë jam gëzuar për futbollistët që kanë pasur një sezon të ngarkuar psikologjikisht.

Ajo penalltia e diskutueshme ndaj Tiranës, u hoqi titullin bardhebluve. Komenti juaj për këtë episod? Nuk mund të flas për këtë episod a ishte apo jo. Por përderisa gjyqtari e ka kosideruar të tillë atëherë kontakti ishte. Sa i përket titullit nuk mendoj që e kanë humbur prej nesh, por nga aleati i tyre i vjetër, Teuta, të cilët u ndihmuan nga Tirana  3 vite më parë. Unë isha pjesë e Vllaznisë dhe Tirana në javën e 30-të fitoi 1-0 ndaj nesh dhe i lehtësoi punë Teutës për t’u shpallur kampion.

Një nga qendërmbrojtësit më të mirë në Superiore, goli juaj “vendosi” edhe fatet e titullit. A është gati Mevlan Adili për t’u bërë “Dem i Kuq”? Nuk mendoj se jam më i miri. Nga njëra ana më vjen keq që me atë gol nuk munda ta ndihmoj skuadrën time të fitonte, por nga ana tjetër personalisht nuk më erdhi mirë për barazimin, rezultat që i shërbeu Partizanit dhe na penalizoi ne. Nuk mendoj se do jem pjesë e Partizanit.

Goli ndaj Tiranës më i bukuri në karrierën tuaj? Jo, goli më i bukur për mua është me Vllazninë në finalen e Kupës së Shqipërisë që e fituam 2-1.

Fanatics të “urrejnë” pasi u dhurove titullin rivalëve të tyre, çfarë do iu thoje? Titullin Partizanit nuk ua dhurova unë, ata e morën vetë. Mendoj që Partizani është trajnuar sivjet sikur “ka lindur djalë pas 10 vajzave”.

Keni një mesazh për tifozët  e Bylist pasi u larguat nga skuadra? Ishte kënaqësi që isha pjesë e Bylisit. Kam bërë maksimumin çdo herë që kam luajtur dhe iu kërkoj falje të gjithëve që nga kryesia e presidenti e deri te punëtori i fushës, Futbolli ky është dhe shpresoj të kthehen shpejt në Superiore. Do të jem tifozi i tyre më i madh.

Jemi në periudhë merkatoje. Ku do ta shikojmë Adilin sezonin e ardhshëm? Nuk kam vendosur akoma asgjë, por mendoj dhe besoj se javën e ardhshme do të vendos se ku do të jetë e ardhmja ime.

Oferta nga skuadra të Superiores? Për momentin nuk ka të tilla. /Floridona ADEMAJ/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga