Eni Imami është futbollist i lirë pasi ka ndërprerë kontratën me Flamurtarin. Kjo lëvizje mes dy palëve ishte e papritur para merkatos së janarit. Për këtë, Newsport.al kontaktoi mbrojtësin shtatlartë.
Imami ka spikatur me paraqitjet e tij dhe vendi i titullarit nuk diskutohej, por çuditë nuk kanë fund ndonjëherë. Një komunikim i vonë nga klubi, pikërisht dje për datëlindjen e 31-të të Imamit, ka bërë që të mbyllet bashkëpunimi. Më poshtë mund të lexoni dhe intervistën e dhënë për Newsport.al.
Si ndjeheni pas kësaj periudhe te Flamurtari?
“Të them të drejtën jam ndjerë shumë mirë te Flamurtari, pas periudhës te Dinamo, duke gjetur veten sërish. Këtë e ka treguar dhe fusha e lojës pasi kam qenë titullar të gjitha ndeshjet pa u ndërruar asnjë minutë. Madje kam kontribuar me gol të shënuar, por të them të drejtën ishte pak si surprizë. Më erdhi mbrëmë në darkë, ma komunikuan”.
Cila ishte arsyeja e ndarjes?
“Në një vend që s'të duan, më mirë të largohesh, nëse s'janë të kënaqur. Se nuk e di për çfarë arsye, po nuk është se më intereson në momentin që dikush më thotë: ‘Shiko se duam të ndërpresim kontratën’. Ok, në Shqipëri jetojmë, nuk ka asgjë të keqe.
Siç e thashë ishte si surprizë sepse e ndjeja dhe dashurinë e tifozëve. Mendoj se ia fitova zemrën, pasi paraqitjet i kam pasur me të vërtetë të mira, pjesën dërrmuese të ndeshjeve. E ndjej veten time, kur jam mirë dhe keq se u bëra kaq vite që luaj futboll. Dhe më lart e thashë që Dinamon, vitin e fundit nuk kam qenë aty ku duhet”.
Tashmë lojtar i lirë. Ku mund ta shohim Imamin në janar?
“Të them të drejtën nuk kam fol me asnjë ekip tjetër sepse më erdhi surprizë, surprizë me rastin e ditëlindjes meqë ra fjala. Të shoh, nuk e di”, u shpreh Imami.
Tashmë mbetet t’u parë ku do jetë e ardhmja e tij, ndërsa pjesën dërrmuese të karrierës e ka kaluar në elitën e futbollit shqiptar./Emanuel Loci/
[caption id="attachment_716276" align="alignnone" width="300"] Eni Imami[/caption]