
Oltijon Kërnaja është trajneri i ri që i bashkohet klubit të Kukësit. Burime të besueshme pranë verilindorëve bëjnë me dije për Newsport.al që tropojanit i është besuar ekipi U-21. Puna e mirë e bërë në Kategorinë e Dytë me Valbonën në këtë sezon futbollistik ka bindur drejtuesit kuksianë që t’i besojë 21-vjeçarët por edhe akademinë e Kukësit.
Gjithashtu Kërnaja do të jetë pjesë e stafit të Rrahman Hallaçit për të dhënë kontributin e tij në Abissnet Superiore. Një lëvizje e zgjuar kjo nga kuksianët që tashmë shohin vetëm të ngjiten sa më lart në renditjen e kampionatit shqiptar.
Eksperienca e Kërnajës në kategoritë inferiore do të japë frytet e veta te moshat për të pikasur dhe evidentuar elementët cilësorë, në shërbim të ekipit të parë. Kujtojmë që në këtë sezon futbollistik, tropojani ishte në krye të Valbonës në Kategorinë e Dytë, skuadër me të cilën nuk regjistroi asnjë humbje duke e lënë në vend të parë. Mosmarrëveshjet me drejtuesit bënë që bashkëpunimi të ndërpritej para kohe. /Retin TOKA/