Trajneri i kombëtares shqiptare Edi Reja i ftuar në studion e "Pressing" ka folur për lojtarët e rinj të afruar tek kuqezinjtë. Reja ka ndaluar për të folur dhe me emra të përveçëm duke folur mbi lojtarë si Grezda, Xhaka, apo dhe të rinjtë Broja, Selmani.
TRASHI
"Lorenc Trashi që kur ka ardhur në stërvitje, më ka pëlqyer. I kam thënë të presë, të rrijë gati për Shqipërinë, pasi unë nuk e kam grumbulluar gjithmonë. Është një lojtar cilësor, i kam thënë të presë momentin e tij dhe ai pranoi. Më pas luajti dhe bëri një paraqitje shumë të mirë. Për të tjerët, po shikojmë nëse kemi ndonjë rast që mund ta konsiderojmë".
SUPERIORE
"Dëshira jonë është që të shohim në veprim lojtarë që luajnë në Shqipëri. Unë kur kam mundësinë, vij dhe i shoh. Edhe Bulku më thërret kur ka ndeshje të rëndësishme në Shqipëri. Ne nuk rrimë në shtëpi gjatë javës, kemi takimet tona, shëtisim nëpër Europë, studiojmë lojtarë që mund të vijnë në kombëtare. Të gjithë janë të monitoruar, edhe të atyre që vijnë në Shqipëri. Unë i kam skedat e të gjithë lojtarëve që luajnë në Shqipëri".
ÇEKIÇI
"Është një lojtar me dhunti nga ana teknike. Ka një rol që nuk e kam kuptuar: Është mesfushor qendre apo fantazist? Godet mirë goditjet standarde, do ta studiojmë. Jemi aty, po e ndjekim. Nëse përmirësohet dhe pak nga ana fizike, do të ishte më mirë"
GREZDA E XHAKA
"Rasti i Xhakës ishte zgjedhje personale. Kur më tha që donte të rrinte jashtë, i thashë që është i lirë. Ai pati disa pretendime dhe u largua. Më kërkoi falje, por ishte vonë. Ishte zgjedhje personale e tij. Xhakën e thirra herën e fundit dhe pati një dëmtim. Ai është në projektin tonë, nëse përgjigjet. Nëse jo, atëherë është problemi i tij. Grezda? Të shohim. Të shohim si do ecë me skuadrën e tij".
ZGJEDHJET E BËRA
"Ne i shohim të gjithë lojtarët, pastaj duhen parë karakteristikat. Nëse janë tre për një rol, unë do marr dy. Nuk i marr dot të gjithë. Jam munduar t'u jap hapësirë të gjithëve, vetëm Mihaj nuk ka pasur minuta. Atij i duhet eksperiencë. Në pozicionet e tjetra i kam futur të gjithë. Stërvitjet me ndeshjet ndryshojnë. Përgjegjësia është e imja".
MAVRAJ DHE PORTIERËT E RINJ
"Mavraj ka bërë një operim në krah. Pati një problem në shpatull dhe më kërkoi të qëndrojë pushim. Duhet parë nëse ai do të vazhdojë përsëri. Kemi lojtarë të rëndësishëm. Selmani? Duhet ta shohim edhe atë. Po luan, ashtu edhe Kastrati. Ka lojtarë që mund të futën në organikën tonë".
ARMANDO BROJA
"Ai luan në skuadrën e dytë të Chelsea. Mendoj se nuk është gati të luajë në nivel europian. E kam ftuar ta shoh. Nga ana taktike dhe fizike është mirë. Është një lojtar që e merr topin, por nuk i sulmon mirë hapësirat".
