
Shqipëria është në Europian. Kombëtarja ka marrë pikën që i nevojitej falë barazimit me rezultatin 1-1 dhe siguron matematikisht për të dytën herë në historinë e saj pjesëmarrjen në finalet e një kampionati europian.
Pas kësaj sfide historike, ka folur kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti.
“Përjetimi nga ana jonë është i papërshkrueshëm. Besoj se nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, por kjo pikë na dërgon në Europian. Kudo që janë shqiptarët si në ekran apo në stadium, i falenderoj shumë. Na kanë mbështetur shumë në këto eliminatore. Janë tifozët më të mirë në botë.”
-Kur e kuptuat që ne do të shkojmë në Europian?
“Që në ndeshjen kur fituam 3-0 përballë Çekisë e kuptuam. Na dha shumë vetbesim si ne dhe tifozëve. Por nuk e dhamë veten pasi në futboll ndodh gjithçka. Por vetbesimi të çon përpara.”
-Je këtu pas 7 vitesh...ke shansin tënd
“Edhe herën e fundit kam qenë në eliminatore, por jo në Europian (qesh). Me rëndësi të kemi shëndetin deri në Europian. Kur të vijë ajo kohë të shfrytëzojmë çdo moment që ta ndjejmë atë emocion.”