Klubi i Veronës ende s'e ka gjetur trajnerin e ri dhe aludimet në Itali janë të shumta. Gabriele Cioffi u shkarkua për mungesë rezultatesh dhe Boçheti shihet si pasardhës i tij. Megjithatë ky i fundit nuk ka kualifikimin e duhur për të qëndruar në pankinë në ndeshjet e Seria A pasi duhet të zotërojë licencën UEFA Pro.
Veronezët duket se e kanë gjetur zgjidhjen brenda familjes. Bëhet fjalë për Dritan Dervishin, i cili prej tetë vitesh është në Verona. Siç shkruan "hellaslive.it", ai mund të zërë rolin e trajnerit të skuadrës pasi zotëron licencën UEFA Pro. Ish-drejtori i Partizanit dhe i Kukësit ka përfunduar me sukses para disa vitesh trajnimin e duhur për trajner në Shqipëri.
A do t'i besojë Verona pankinën scout-it shqiptar? Këtë do ta mësojmë përfundimisht në të ardhmen. Tashmë në Itali, ish-drejtorin sportiv në Superligë e bëjnë trajner në Seria A.
[caption id="attachment_662607" align="alignnone" width="1878"] Faksimile e lajmit për Dritan Dervishin[/caption]