
Thomas Müller vihet në listën e dëshirave të trajnerit Antonio Conte. Italiani i stolit të Chelsea kërkon me çdo kusht të transferojë sulmuesin gjerman, i cili në javët e fundit nuk po gjen hapësira te Bayern Munchen.
Sipas prestigjiozes angleze “Sunday Express”, londinezët janë të gatshëm të ofrojnë plot 80 milionë euro për bavarezin, ndërsa “rekordmenët” e Bundesligës duken të tunduar nga ky çmim.
Me sistemin 4-2-3-1, Thomas Müller nuk po aktivizohet si titullar dhe është i pakënaqur me hapësirat që i ka dhënë gjatë këtij sezoni trajneri Carlo Ancelotti.
Një situatë e tillë mund ta bënte realitet kalimin e tij te Chelsea, ndonëse është shumë e vështirë që Bayern të heqë dorë nga një prej sulmuesve më të mirë në botë, më tepër edhe për shkak të fansave bavarezë që kanë qenë gjithnjë kundër shitjes së Thomas Müller.