Italia u eleminua nga Bosnje Hercegovina në finalen e “play-off”, duke i dhënë për herë të tretë lamtumirën Kupës së Botës. Ky dështim iu faturua federatës dhe trajnerit, të cilët dhanë dorëheqjen një ditë pas disfatës së rëndë, duke bërë që Kombëtarja t’i drejtohet zgjedhjeve të reja për president si dhe emrin e ri që do të pasojë Gennaro Gattuson në stol.
Kur ka kaluar një javë nga “turpi” historik, një detaj interesant ka qarkulluar në rrjet, ku në fokus është një 14-vjeçar i cili mban rolin e mbledhësve të topave, duket se është kthyer dhe në “ogur” fatsjellës për boshnjakët, falë veprimit të tij të bërë në fushën e lojës.
Bëhet fjalë për një lëvizje dinake, të cilën Afan Cizmic e kreu pak para se të dyja skuadrat t’u drejtoheshin 11-metërshave, aty ku nisi pika më kulminante.
Cizmic i fshehu portierit të Italisë, Gigio Donnarumës letrën me sekretet e penalltive që mbante te peshqiri për të studiuar goditjet e kundërshtarit. Kjo lëvizje shkaktoi dhe irritimin e këtij të fundit i cili nuk ia doli dot të gjente udhëzimet, duke mbetur i pashpresë në gjuajtjet e skuadrës kundërshtare.
Intuita e gardianit italian nuk rezultoi efikase dhe skuadra e tij humbi shpresën për t’u kualifikuar në turneun e këtij edicioni, duke zgjatur akoma dhe më shumë mungesën që kur luajti në Botërorin e fundit në vitin 2014.
Letra e "vjedhur" me inteligjencë nga djaloshi do të shitet në ankand për bamërisi, ndërsa 14-vjeçari është i ftuar t'i bashkohet Kombëtares boshnjake kur skuadra të udhëtojë drejt shteteve pritëse ku do të mbahet Botërori.
