Dinamo do të presë në “Niko Dovana” skuadrën e Teutës për të bërë mes tyre llogaritë për javën e 27-të të Superiorës. Një ndeshje mjaft e rëndësishme që do të luhet ditën e hënë në orën 17:00 dhe ku dy ekipet do të luftojnë vetëm për fitoren.
Për këtë përballje dinamovitët do të kenë edhe rikthime të rëndësishme. Dritan Mehmeti do të mund të llogarisë shërbimet e Behiratchen dhe Rustem Hoxhën. Të dy lojtarët kanë shlyer pezullimin dhe tashmë do të marrin vendin e tyre në formacion ndaj durrsakëve.
Por jo vetëm kaq pasi nga minuta e parë pritet të rikthehet edhe Fatjon Andoni. Ky i fundit ka kaluar problemet fizike dhe në duelin me Egnatian hyri si zëvendësuas, ndërsa ndaj “Djemve të Detit” priter të jetë pjesë e 11-tëshes statuese. Një lajm i mirë për Mehmetin që do të ketë mundësinë e zgjedhjeve të më të mirëve në sfidën e së hënës.
Kujtojmë se aktulisht Dinamo mban vendin e 5-të në tabelën e klasifikimit me 36 pikë, 1 më pak se Skënderbeu që ndodhet në vend të 4-të, pozicion që të dërgon në “Final – Four”. Gjatë 26-javëve dinamovitët ia kanë dalë të sigurojnë 10 fitore, 6 barazime dhe po 10 humbje, ku kanë shënuar 34 gola dhe po kaq kanë pësuar.