Kombëtarja shqiptare luan në Nations League me Izraelin në 24 shtator në transfertë dhe në 27 shtator me Islandën në Tiranë. Nga grumbullimi me kuqezinjtë ka folur edhe sulmuesi i Vorskla, Taulant Seferi.
“Po e ndjej veten mirë, kam luajtur në të gjitha ndeshjet. Është trajneri ai që vendos, unë bëj më të mirën.
Dëmtimet – Ky grup duhet të jetë bashkë, këto mungesa janë me peshë. Na mërzisin shumë që nuk janë, uroj të kthehen sa më parë. Janë ndeshje finale, maksimumin duhet të marrim në këto ndeshje.
Atmosfera – Padyshim është e mirë, jemi çuna të mirë dhe rrimë bashkë. Në futboll kjo ka rëndësi, duam që kjo lidhje të na ndihmojë edhe në fushë.
Minutat në sulm – Kur duhet të fitosh, duhen golat. Sulmuesit janë në formë, uroj që ai që luan të bëjë gola për pikët.
Partneri i sulmit – Ndihem mirë nëse luaj, nuk ka rëndësi me kë. Këtë e vendos trajneri. Këto janë finale, ai që luan të bëjë më të mirën sepse bashkë do marrim atë që duam.
Sulmi me 3? Nuk mund të them gjë për formacionin, Izraeli është i fortë dhe agresiv në fushën e saj. Të gjejmë pikat e dobëta dhe t’i sulmojmë. Nëse nuk marrim gjashtë pikë do zhgënjehemi, duam maksimumin për kreun. Shpresoj dhe kam besim se do ia dalim. Të mendojmë për Izraelin dhe më pas për Islandën.
Aventura në Ukrainë – Në media është bërë e madhe, gjithçka është normale. Luajmë në tre qytete dhe nuk kemi rrezik. Shokët e skuadrës dinë ca fjalë shqip, kanë luajtur te Vorskla edhe Curri me Dallkun, do i mësojmë më shumë”, tha Seferi.