
Java e 19 e Kategorisë Superiore ka rezervuar duele interesante dhe një prej tyre është ndeshja që do të luhet të diel në 16:00 në Durrës. Teuta do të presë në "Niko Dovana" Bylisin e surprizave, me vendasit që janë përforcuar ndjeshëm në repartin ofensiv. Durrsakët e panë vetën të vuanin për golin gjatë gjysmës së parë të sezonit, gjë që u duk në ndeshjen e mesjavës humbur me Laçin në shtëpi.
Trajneri Edi Martini do të ketë gati tre forca shtesë në sulm për ndeshjen e nesërme, me Hebaj, Vecaj dhe Kolibali që janë federuar nga klubi. Problemet me dokumentacionin nga klubet e mëparshme, kanë bërë që në mesjavë trajneri shkodran i Teutës të privohet në zgjedhje. Gjithçka tanimë ka marrë miratimin edhe nga FIFA, ndaj ofensiva e "Djemve të Detit" pritet të jetë e "frikshme" ndaj Bylis.