
Sot është dita e derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, takim që do të luhet në “Air Albania” duke nisur që nga ora 19:00. Kjo pëballje është e vlefshme për ndeshjen e javës së 6-të, ku skuadrat kërkojnë vetëm fitoren.
Gjithmonë derbet kanë qenë të luftuara, ku spektakli dhe emocionet kanë qenë të pranishme në fushën e lojës edhe në tribuna. I tillë pritet të jetë edhe ky i sotmi, i cili është i pari për skuadrat kryeqytetase në këtë sezon.
Bardheblutë kanë grumbulluar 2 pikë më shumë se Partizani. Tirana mban vendin e 3-të në klasifikim me 13 pikë, ndërsa të kuqtë janë të 5-tët me 11 pikë. Por pavarësisht kësaj statistikat e përballjeve mes tyre anojnë në anën e të kuqve. Derbi që do të luhet sot është derbi i 171-të që bardheblutë dhe demat do të zhvillojnë mes tyre.
Të kuqtë kanë fituar 70, bardheblutë kanë triumfuar në 47, ndërsa 53 ndeshje kanë pëfunduar në barazim. Tirana ka arritur të shënojë 184 gola, ndërsa Partizani ka tundur rrjetën e rivalëve plot 229 herë. Në këtë përballje si asnjëherë më parë në stol do të ketë ish-lojtarë ose trajnerë që kanë luajtur për ekipet e kryeqytetit. Arbër Abilaliaj është një ish-bardheblu, ndërsa nga krahu tjetër Julian Ahmataj është një ish-i kuq. Një duel i veçantë edhe mes dy timonierëve që do të përballen mes tyre për fitoren e parë në derbi për këtë sezon.
Takimi i parë mes Tiranës dhe Partizanit është zhvilluar më 30 mars 1947, ku demat triumfuan 8-0. Kjo është fitorja më e thellë në një derbi mes tyre. Ndërkohë më 22 shtator 1985 bardheblutë do të triumfonin 7-3 ndaj të kuqve, duke u kthyer kështu reston. 3 derbet e këtij sezoni janë përsëri në favor të djemve të Colellës që kanë fituar 2 dhe kanë humbur vetëm 1.