
Komisioni i DIsiplinës ka marrë vendimet për javën e fundit të futbollit shqiptar. Ekipi më i dëmtuar është Flamurtari me presidentin Idrizi, trajnerin Troisi, pjestarin e stafit Alfred Ferko dhe lojtarin Andi Ribaj që janë dënuar me 2 ndeshje pezullim ndërsa Idrizi me 4.
Dënimi më i rëndë është për stadiumin që do të qëndrojë i mbyllur për pjesën e mbetur të sezonit, megjithatë gjoba do të aplikohet në masën 50%. Klubi vlonjat ka reaguar menjëherë në rrjete sociale duke i quajtur vendimet qesharake.
Por çfarë ndodhi dhe si erdhi ky vendim tejet i ashpër nga Komisioni i Disiplinës?
Ndeshja direkte ndaj Dinamos në Vlorë kishte presionin jashtëzakonisht të lartë tek të dy ekipet që pa nisur ende. Atë ndeshje e fituan Blutë me një penallti që shkaktoi të gjithë këtë situatë të rëndë.
Vendimet e gjyqtarit Cjapi u kontestuan ashpër gjatë gjithë ndeshjes nga ekipi vendas dhe tifozët vlonjat. Pas ndeshjes, presidenti Idrizi foli ashpër në intervistë duke u shprehur se asnjë nuk tallet me investimin e tij dhe pyeti me ironi: Këta presin të nxjerr pushkën tani?
Kur gjyqtari po i drejtohej dhomës së zhveshjes u sulmua me hedhje sendesh të forta nga tribunat kryesore dhe pas ndeshjes, qindra tifozë kishin rrethuar stadiumin në shenjë proteste.