Barazimi i Luftëtarit me rezultatin 3-3 kundër Ventspils, ka trazuar ndjeshëm atmosferën në klubin gjirokastrit. Befasia më e madhe ishte lënia në stol e Dejvi Bregut. Fantazisti vlonjat nuk u preferua nga trajneri Kostiç me arsyetimin, për zgjedhje taktike.
Pas ndeshjes, i zhgënjyer Bregu ka folur në një intervistë për Supersport. Ai i ka thënë të gjitha dhe nuk ka hezituar aspak të shprehë atë që mendon rreth asaj që ndodhi në fushën e blertë.
- E çuditshme të largohesh në këtë mënyrë, me këtë lloj ndeshjeje, me trajnerin Kostiç që të lë në stol për zgjedhje taktike...
Nuk ka problem, tani e kuptoj më mirë, por askush nuk ma mohon dot kontributin që kam dhënë te Luftëtari, golat e shumtë që kam shënuar në dy vite e gjysmë dhe meritën e madhe që kam që Luftëtari arriti deri këtu. Nuk ka problem, u jam mirënjohës shokëve të skuadrës dhe atyre që më kanë mbështetur. Dua të sqaroj që lajmet e "Panorama-Sport" që kanë marrë nga klubi i Luftëtarit besoj se janë të gabuara.
- Çfarë ka ndodhur realisht?
Asnjë debat dhe asgjë nuk është e vërtetë nga ato që janë shkruajtur. Thjesht trajneri ka menduar që mund të provojë lojtarë të tjerë, gjë që e kam pritur shumë mirë, nuk kam asnjë arsye përse të mërzitem. Unë kam punuar me shumë trajnerë te Luftëtari dhe kam respektuar çdo vendim të tyre, por në këtë fund të rrugëtimit me Luftëtarin shoh që shumë njerëz nuk janë treguar mirënjohës.
- E çuditshme për të gjithë që lojtari më i mirë i ekipit të mos luajë, por edhe Xhekson nuk luajti. Si e ke përjetuar?
Në fillim u habita, por nuk ka asnjë lloj problemi, janë gjëra që vendoset nga dikush tjetër dhe nuk më intereson më, janë pjesë e së shkuarës tashmë. Disa gjëra bëhen më të lehta pas këtyre veprimeve, besoj edhe Xhekson ka pasur një arsye të fortë për veprimin që ka kryer, por nuk dua të flas për gjëra që nuk më përkasin. Duke folur për veten, mbase për tifozët është shumë e çuditshme që më panë në stol, pasi mbase këtij klubi i kam dhënë më shumë sesa më ka dhënë. Unë mbetem mirënjohës, por me sa shoh nuk marr mirënjohje në këmbim. Gjithsesi, largohem pa hatërmbetje, i përqafoj të gjithë.
- Ndoshta meritoje të largoheshe ndryshe, edhe në raport me tifozët.
Unë erdha me dashamirësi të madhe, kush më ka njohur e ka kuptuar me çfarë dëshire kam ardhur, por me sa duket ndihma ime nuk ka vlejtur, sepse me sa duket një nga fajtorët e humbjes në Letoni kemi qenë unë dhe Xhekson.
- Mos ndoshta ndarja më e bukur ishte ajo e javës së fundit në Gjirokastër?
Ajo ndarje nuk vjen më, ato lot janë të papërshkrueshme, ashtu si lotët dhe duartrokitjet e tifozëve në stadium. Më vjen shumë keq që përfundoi kështu, erdha për të ndihmuar dhe me sa duket nuk vlejti, shpresoja edhe vetë të jepja më shumë, por janë gjëra që ndodhin. Gjithsesi, në dy vite e gjysmë kam treguar sa vlej dhe nuk mund të fajësohen një apo dy lojtarë, por duhet gjetur përgjegjësia në tërësi. Doja një ndarje tjetër, por gjithsesi largohem me kokën lart, të gjithë e kanë parë sa kam dhënë dhe jam krenar.
- Ç'kuptim ka sjellja e çuditshme e trajnerit me titullarët e skuadrës në ndeshjet e Europës?
Duhej pak më shumë respekt për ata që kanë dhënë më shumë, kur ai e gjeti gati. Gjithsesi, unë nuk i uroj asgjë të keqe. I uroj gjithë të mirat skuadrës, sepse me ata djem kemi qarë e kemi qeshur dhe u uroj më të mirën e mundshme dhe ata e dinë shumë mirë që do të bëj gjithnjë tifo për ata.
