Gianni de Biasi ka zhvilluar analizën e kombëtares për situatën pas Europianit, merkatos dhe lëvizjes së mundshme të tij dhe të kosovarëve që përfliten se do të zgjedhin fanellën tjetër për të ardhmen.
Kreu i pankinës kuqezi që ka merita të veçanta për arritjen në fazën finale të Europianit tregon dhe jep këshillat e tij për lojtarët që kanë gjetur skuadra, por edhe për ata që janë në kërkim të një klubi. Që nga Berisha e deri te Armando Sadiku, tekniku kuqezi ka "recetën" për ta.
Sa i përket kontratës së tij dhe kontakteve me kombëtare të tjera, ai jep sqarime në intervistën e dhënë në "Panorama Sport", duke thënë se është ende herët për të folur. Megjithatë, ai ul euforinë për Botërorin "Rusi 2018", sepse në grup janë dy ekipe të mëdhenj dhe me traditë si Italia dhe Spanja.
"Spanja dhe Italia janë gjithnjë favoritë, por e ardhmja jonë lidhet me eksperiencën në Europian. Megjithatë kjo nuk do të thotë se kjo gjë na bën fenomenë", thotë fillimisht tekniku kuqezi.
Transferimet - "Besoj që ndryshimi i ambientit për Manajn, Ajetin dhe Alijin është diçka e rëndësishme. Për Ajetin kalimi te Torino është hap pozitiv, pasi niveli i skuadrave ndryshon shumë. Për Alijin uroj që të luajë në vazhdimësi, siç ka bërë te Bazeli. Është mundësi që ai nuk do ta shpërdorojë. Manaj, uroj që ndryshimi i skuadrës t'i japë mundësi të luaj, është diçka që nuk e ka bërë te Interi".
Këshilla - "Për Sadikun uroj që të transferohet në një ekip të madh. Besoj se ai e ka treguar veten duke bërë gjëra mjaft të mira. Duke nisur nga Vaduzi ku shënoi disa gola për ta shpëtuar nga rënia në një kategori më poshtë e deri te Kombëtarja ku arriti të shënojë dhe e pa veten titullar në tri ndeshjet e Europianit".
Lenjani - "Uroj që të gjejë skuadër ku do të mund të luajë vazhdimisht. Për ne është lojtar që kemi shumë besim. Sa herë e kemi thërritur, ka dhënë kontribut pozitiv".
Berisha - "Etriti duhet të vlerësojë mirë situatën dhe të bëjë kujdes me interesimin e skuadrave të tjera. Lacio ka të drejtë të vendosë për të, pasi ai është në kontratë. Duhet të jetë Etriti ai që duhet të vendosë. Është shumë e rëndësishme që ai të luajë dhe të marrë minuta.
Kombëtaret e tjera - Për fat të keq, nuk varet nga unë nëse emri im qarkullon nëpër media. Shumë njerëz e kanë përfshirë emrin tim në situata të ndryshme dhe unë nuk mund të ndërhyj. Ju shkruani dhe unë shoh me shpresën të mos më prishni punë. Nuk e kam me ju personalisht, por me gjithë mediat në botë. Nuk kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me ndonjë kombëtare".
Ndryshimi - "Lojtarët që luajtën në Europian janë akoma të vlefshëm, pasi kemi ekip relativisht të ri. Por, për fat të keq do të jetë dyvjeçar i vështirë për ne. Është e vështirë për faktin që në grup kemi Spanjën dhe Italinë".
Renditja - Është e vështirë të thuash që sot sesi do të jetë renditja në fund të eliminatoreve. Është herët sepse ende nuk dihet se kush do të jetë trajneri i Spanjës. Duhet të dimë që jemi kombëtare e vogël dhe që na duhet të punojmë fort e të tregojmë sa më shumë në fushë për të arritur diçka.
Largimet - "Nuk di si të komentojë atë që ka thënë Bunjaki. Ai mund të ketë folur me ndonjë nga lojtarët. Mes atyre që kanë qenë në Francë dhe atyre të katërve që kanë qenë në Austri, vetëm njëri do të largohet".
Kontrata - "Kontrata ime është diskutuar kur ishte momenti për të rinovuar. Skadon në tetor 2017 dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë".
https://www.youtube.com/watch?v=pY-Kle-jgAE