Ylli i Realit të Madridit nuk mundi të ishte protagonist mbrëmjen e djeshme me Kombëtaren e tij , Portugalinë. Skuadra iberike barazoi 1-1 në ndeshjen hapëse të Kampionatit dhe Ronaldo nuk mundi të shënonte. Kjo e ka nxehur futbollistin dhe fajtorin e ka gjetur te skuadra kundërshtare dhe jo te gjendja e tij fizike.
“Islanda nuk provoi të bënte asgjë. Ata vetëm mbrohen, mbrohen, mbrohen dhe luajnë në kundërsulm. Ishte një natë me fat për ta. Duhej të kishim tre pikë po jemi në rregull edhe kështu. Mendova se kishin fituar Europianin duke parë se si festuan në fund. Ishte e pabesueshme.
Kur ata nuk mundohen të luajnë por vetëm mbrohen, mbrohen, mbrohen, sipas mendimit tim, tregon një mentalitet të vogël dhe nuk do të bëjnë asgjë në këtë turne”, ishte deklarata e portugezit, e cila është komentuar gjerësisht si një reagim absurd pas një rezultati historik të një vendi të vogël që përveç të tjerave, debutonte në turne.