
Nëse të gjitha klubet e Superiores (veç Vllaznisë) funksionojnë si subjekte private, e njëjta gjë s’mund të thuhet për skuadrat që militojnë në Kategorinë e Parë. Thuajse të gjithë klubet menaxhohen dhe janë pjesë të bashkive respektive. Pra e thënë shkoqur, lojtarët paguhen nga Bashkia e qytetit.
Coronavirusi në vendin tonë ka “paralizuar” çdo aktivitet sportiv, përfshirë edhe futbollin. Kryeministri Edi Rama theksoi se nuk do të ketë ndihma financiare për klubet dhe në këto kushte më të prekurit duket se është Kategoria Superiore. Duke qenë se pjesa më e madhe e skuadrave janë subjekte private, pronarët e tyre duhet të mendojnë për minimumin jetik të futbollistëve.
E kundërta ndodh në Kategorinë e Parë. Lojtarët do të vijojnë të paguhen. Edhe pse rrogat e tyre s’kapin shifra të çmendura sikurse ndodh në elitë, me rëndësi mbetet fakti se në këtë periudhë të vështirë atyre do u sigurohet minimumi jetik, pasi menaxhohen nga bashkitë përkatëse.