Caleb Ekuban duket më larg se kurrë Partizanit. Sulmuesi me origjinë ganeze kërkohet me ngulm nga Leeds United që militon në Championship, por gjithashtu edhe nga APOEL Nicosia.
"Calcionews" raporton se sulmuesi që shënoi 17 gola me Partizanin në kampionat ka futur në 'luftë' trajnerin e Leeds United, Thomas Christiansen me ish-skuadrën e tij, APOEL.
Thomas Christiansen drejtoi sezonin e shkuar APOEL-in duke fituar titullin kampion në Qipro dhe së fundmi është emëruar në pankinën e Leeds-it.
Ish-lojtari i Barcelonës B, Villareal, Hannover dhe disa skuadrave të tjera të njohura në Europë ka nisur një projekt për të ngritur Leeds-in drejt Premier League-s dhe Ekuban është objektiv kryesor për repartin e sulmit.
Nga ana tjetër, edhe APOEL Nicosia kërkon të firmosë me sulmuesin që është në pronësi të Chievo-s dhe ka bërë një ofertë zyrtare prej 500 mijë eurosh për kartonin e tij. Nga kjo 'luftë' sigurisht që i humbur do të dalë Partizani, i cili me shumë mundësi do të humbë shërbimet e një sulmuesi që 'çmendi' Superligën./ NEWSPORT.AL