
Berat Gjimshiti ka folur në prag të sfidës që Atalanta e tij do të luajë përballë Bayer Leverkusen. Një ndeshje mjaft interesante e cila do të kurorëzojë fituesin e UEFA Europa League. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare thotë se po përjeton emocione shumë të bukura dhe thekson se janë të lumtur që kanë arritur deri në finalen e këtij kompeticioni. Më tej, Gjimshiti tregon gatishmërinë që ka ekipi i tij për këtë supersfidë.
“Këto janë emocione shumë të bukura, ne jemi të lumtur që kemi arritur deri këtu, pasi e kemi merituar. Nuk ndodh çdo ditë të luash të tilla finale dhe kjo ka qenë një ëndërr që kur kam qenë fëmijë. Nesër fusha do të ketë rëndësi. Të gjithë jemi gati për këtë betejë dhe duam të fitojmë dhe të shkruajmë historinë”, u shpreh fillimisht shqiptari.
Më tej, Gjimshiti konfirmoi mungesën e mesfushorit De Roon, duke shtuar se në finalen e Europa League do të jetë ai që do ta mbajë shiritin e kapitenit për ekipin e Atalantës.
"Padiskutim që është një mungesë e rëndësishme ajo e De Roon. Por, gjithçka do të varet nga ne, për mënyrën se si do të luajmë. Unë kapiten? Ka mundësi, por kjo nuk ka shumë rëndësi për ne, këtu jemi të gjithë, ne luajmë së bashku dhe fitojmë së bashku”, tha Gjimshiti.
Për të mbyllur fjalën e tij, Berat Gjimshiti u shpreh se Leverkusenin e vlerësojnë dhe e respektojnë në maksimum, duke e cilësuar padyshim si një ekip të madh dhe shumë të fortë.
“Nuk ka nevojë për shumë fjalë, ata nuk kanë humbur asnjë ndeshje dhe me meritë e fituan Bundesligën. Ata janë një ekip i madh, me një skuadër shumë kompakte dhe shumë të fortë. Ne jemi përballur me Leverkusen dy vite më parë dhe besoj se edhe ata kanë pikat e tyre të dobëta. Natyrisht, e thash edhe pak më sipër se gjithçka nis dhe varet nga ne, nuk duhet të gabojmë, duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të shfrytëzojmë gjithçka sepse jemi në finale”, mbylli fjalën e tij mbrojtësi shqiptar.
Kujtojmë që ndeshja Atalanta – Leverkusen do të zhvillohet të mërkurën e 22 majit. Finalja e UEFA Europa League do të luhet në “Aviva Stadium”, të Dublinit, Irlandë, duke nisur nga ora 21:00.