Trajneri i Bolognas, Vincenzo Italiano shprehu optimizmin e tij përpara çerekfinales së Europa League kundër Aston Villa . Ai theksoi se fitorja e fundit ndaj Cremoneses ka ngritur moralin e skuadrës dhe ka krijuar pritshmëri pozitive.
Italiano vuri në dukje rëndësinë e tifozëve dhe mbështetjes së tyre, duke e cilësuar atmosferën në stadium si një faktor kyç. “Së bashku me dëshirën për të fituar, do të bëjmë maksimumin për të vënë në vështirësi një kundërshtar të fortë”, shtoi ai.
Përpara këtij dueli 180-minutësh, trajneri shprehu respekt për cilësinë dhe individualitetet e Aston Villas. Ai gjithashtu përmendi rivalitetin me trajnerin Emery dhe shpreson që skuadra e tij të tregojë saktësi në shfrytëzimin e rasteve të krijuara.
“Fitorja në Kupën e Italisë na ka sjellë deri këtu. Tani kam mundësinë të përballem me një trajner të madh si Emery, i cili di ta bëjë ekipin e tij shumë konkurrues, dhe kjo më bën krenar", tha ai.
