Nicolas Jackson nuk do të vazhdojë më me Bayern Munich, pasi klubi gjerman nuk do të paguajë 60 milionë eurot që Chelsea kërkon, plus 15 milionëve që u dhanë në fillim të sezonit për huazimin. Në këto kushte, Bayern ka nisur punën për një tjetër sulmues.
Kompany kërkon një zëvendësues të Harry Kane, i cili mund të bëjë mjaft mirë detyrat ofensive. I “piketuari” është Kai Havertz, i cili aktualisht aktivizohet me Arsenal në Premier League. Vlera e tij është rreth 50 milionë euro, ndërsa është në kontratë me “Topçinjtë” deri në verën e vitit 2028.
Këtë sezon, 26-vjeçari gjerman ka vuajtur shumë për shkak dëmtimesh, duke marrë pjesë në vetëm 21 ndeshje, ku në mbi 90% prej tyre nuk ka qenë titullar. Megjithatë, Havertz ka shënuar 5 gola e ka asistuar në 4 të tjerë.
Një rikthim në Gjermani nuk do të refuzohej nga vetë futbollisti, por mbetet të bindet klubi i Arsenal. Së shpejti ose pas përfundimit të Kupës së Botës, klubi i Bayernit është gati që të futet në negociata me Arsenal, duke shpresuar për një shumë transferimi, 40 milionë euro.
