
Kombëtarja e Shqipërisë do të ndeshet me Marokun në datë 31 gusht. Burime për newsport.al bëjnë me dije që FSHF-ja nuk do të marrë asnjë përfitim nga 16 mijë biletat e shitura. Një agjenci e huaj është vetëofruar për të paguar shpenzimet e Kombëtares së Marokut, ku përfshihen akomodimi, transporti dhe biletat e avionit. Është pikërisht po kjo agjenci që do të marrë të ardhurat që do të përfitohen nga biletat e stadiumit.
Në lidhje me këtë çështje është kontaktuar nga newsport.al edhe Gazmend Malo, drejtor i përgjithshëm i marketingut në FSHF, i cili deklaroi: "Është një protokolll ndërkombëtar ndërmjet FIFA-s dhe UEFA-s, i cili e lejon një agjenci të huaj të vetëofrohet në ndeshjet miqësore për të paguar shpenzimet e kombëtareve. Edhe në ndeshjen tonë me Marokun është vetëofruar një agjenci e huaj", deklaroi Malo.