Ka dhjetë vite që merret me basketboll dhe tashmë luan në skuadra të njohura në Itali, si ajo e Bergamos. Rei Pullazi ka lindur në Romë, por nuk e mohon origjinën shqiptare. Në një intervistë për newsport.al, 24 vjeçari ka treguar nivelin e basketbollit në Itali dhe synimet e tij për të ardhmen. Mes emocionesh, Pullazi tha se shumë shpejt do t'i bashkohet Kombëtares kuqezi, pasi për të kjo ishte ëndrra e tij.
- Sa vite ke që luan? Me cilën skuadër?
Kam dhjetë vjet që merrem me basketboll. Kam 2 vjet që luaj në Bergamo dhe është një nga ekipet më të mirë në Seria B, liga që luaj unë këtu. Kemi synim të ngjitemi në Seria A, të shohim nëse do ia arrijmë.
- Si është niveli i basketbollit në Itali?
Niveli i basketbollit në Itali është i lartë, por vitet e fundit kanë rënë disi pasi financimi është ulur ndjeshëm për këtë sport.
- Nëse merr një ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë do e pranoje?
E kam pasur ftesën këtë verë nga Kombëtarja shqiptare, edhe kisha shumë dëshirë të vija se për mua ishte një gjë shumë e bukur, gjithashtu edhe për familjen time. Por grumbullimi niste kur unë do t'i bashkohesha skuadrës time në Bergamo. Fola edhe me lojtarët e tjerë që luajnë këtu, edhe ishte problem edhe për ata. Kështu që për këtë vit nuk shkova, por kam për të shkuar patjetër pasi është ëndrra ime.
- Basketbolli në Shqipëri është rritur ndjeshëm. E ke ndjekur?
Kam një shok që luan me Tiranën, i cili më tha që niveli nuk është akoma në pritshmëritë e tyre, por mendoj që avash avash do të rritet. Shqipëria jeton me futbollin, kështu që është normale.
- Tirana luan në Ligën e Ballkanit dhe po mbledh më të mirët. Do e dëshiroje një aventurë?
Unë po provoj të rritem përditë profesionalisht, dhe punoj që të bëhem një nga më të mirët. Tani për tani nuk e kam menduar, por në jetë nuk i dihet. Kështu po të jenë kushtet do të iki në Tiranë me shumë qef.
- E vizitoni shpesh Shqipërinë? Ndiheni shqiptar apo italian?
Unë kam lindur në Romë dhe ndihem italian. Por origjina ime më pëlqen dhe jam krenar. Nëna ime më ka mësuar gjuhën dhe flas shqip me prindërit e mi, kështu që ndihem patjetër edhe shqiptar. Të them të drejtën ka 2 vite që nuk kam qenë në Shqipëri, por këtë verë mendoj se do vij./NEWSPORT.AL/ Retin TOKA