
Në Shqipëri gjithandej dëgjon të flitet për kombëtaren shqiptare dhe ndeshjen që kuqezinjtë do të luajnë ndaj Polonisë ditën e nesërme, ora 20:45 në Varshavë. Një takim mjaft i rëndësishëm për djemtë tanë që startojnë kështu kualifikueset e Euro 2024.
Tifozët presin me padurim të shikojnë skuadrën e ndërtuar nga trajneri Sylvinho, i cili do të bëjë edhe debutimin e tij në krye të kuqezinjtë. Për të analizuar këtë përpallje mjaft të rëndësishem ka folur për “Ora News” gazetari i njohur Altin Sulçe.
Sulçe vë theksin te grupi i lojtarëve që kemi tashmë në dispozicion dhe atmosfera pozitive që trajneri brazilian ka sjellë në skuaadër.
“Trajneri u ndryshua te Shqipëria, energjia gjithashtu. Shohim Silvinjo dhe Zabaletën që shtrihen në fushë, bëjnë sparkata me lojtarët. Kjo nuk më ndodhte me Rejën për shkak të moshës, raportet e tij me lojtarët, ishte si gjysh me ta.
Ne kemi shansin që mund ta shihnim Poloninë në ndeshjen e parë kundër çekëve, ata kishin shumë difekte në mbrojtje. Duhet ta shohim sesi do të shkojë ndeshja e së hënës. Nuk e dimë nëse ajo e fitore çekëve ndaj polakëve do të na favorizojë apo jo, se ne presim Poloninë që të jetë në krye të grupit.
Reja ishte i fiksuar pas skemës 3-5-2. Një kuzhinier i mirë është ai që gatuan duke ditur përbërësit që ka aty të gatshëm. Disa lojtarë dilnin tërësisht jashtë pozicionit të tyre me skemën e Rejës. Për këtë arsye mua më pëlqen më shumë skema e Silvinjos, 4-2-3-1.
Shqipëria ka pasur lojtarë të mirë gjithmonë, por asnjëherë nuk ka pasur superstar. Nëse do të arrijmë lart, kjo ndodh vetëm nëse mbajmë grupin. Nuk duhet të ketë raste egoizmi si më parë kur Broja apo një tjetër lojtar del para portës dhe nuk pason.
Po, ne nuk kemi pasur lojtarë më parë te Chelsea dhe te Interi, por nuk do të thotë që ti të vish nga Interi dhe Chelsea dhe të mos djersitësh fanellën e Shqipërisë. Futbollistët duhet të heqin kufjet nga veshi dhe të flasin me njëri-tjetrin, të jenë një trup i vetëm. Me Rejën ka pasur lojtarë që kanë abuzuar. Ka pasur emra që bënin gabime të njëpasnjëshme dhe ishin sërish në formacionin. Tani shpresojmë se kjo nuk do të ndodhi me Silvinjon”, ka përfunduar moderator i njohuri.