“Kemi nisur që prej datës 5 tetor punën me Orges Shehin”, kjo ishte ndër të tjera deklarata e Arbër Abilaliajt në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes me Erzenin që luhet nesër në “Air Albania”. Trajneri i të kuqve, njëkohësisht edhe drejtor sportiv, u duk se "ra brenda" me këmbët e veta në këtë konferencë të sotme.
Javë më parë, ai pyetej nga gazetarët dhe saktësisht në datën 18 tetor është shprehur se trajneri durrsak është i Tiranës. Ndërkaq, sot tregoi se si kanë punuar në fshehtësi, në një kohë kur “De Juro”, Shehi ishte në kontratë me bardheblutë.
Një deklaratë që i ka dhënë të drejtë edhe Refik Halilit, i cili në 5 tetor tregonte para medieve një foto të Shehit me miqtë e vet në lokal. Pikërisht në ditën kur Abilaliaj evidentoi se ka nisur punën me durrsakun për ekipin e Partizanit, kreu i klubit bardheblu do të deklaronte: “Shikoni Shehin, po feston në një lokal lluksoz me presidentin e klubit të Dinamos, me Çarçanin dhe njerëz të afërt të tij. Është gjë e mirë kjo”.