
Arben Dervishaj është inxhinier, arkitekt, një njeri që duket se ka kontribuar jo pak në infrastrukturën e futbollit këto katër vite të kaluara.
Ai është edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv që marrë më shumë vota nga delegatët e Asamblesë së FSHF, në zgjedhjet e zhvilluara në 7 shkurt për presidentin dhe organet drejtuese.
Në një intervistë ekskluzive për newsport.al, Dervishaj tregon se pse ka arritur të fitojë besimin e delegatëve, dhe çfarë do të duhet të ndryshojë në katër vitet e ardhshme në FSHF.
- Zoti Dervishaj, dje u zhvilluan zgjedhjet për presidentin dhe organet drejtuese të FSHF, një proces që pati kontestime nga kandidati Fino. Si i gjykoni ju?
Eshtë e drejta e tij që të ketë mendim ndryshe. Gjykimin e dha në rradhë të parë asambleja me votimin e saj si dhe përfaqesuesit e UEFA-s dhe FIFA-s që e certifikuan atë.
- Ju ishit personi që morët më shumë vota në Asamble për Komitetin Ekzekutiv. Pse ndodhi? Keni punuar më mirë apo keni lobuar më mirë?
Po besoj se në numrin e votave që unë mora nga delegatët e Asamblesë së FSHF-së, kanë ndikuar disa faktorë: Së pari, mendoj se ka qenë mbështetja e zotit Duka për kandidaturën time. Së dyti, që është kontribut real në këtë rast, ka të bëjë me punën që unë kam bërë në këto katër vjet, për tre stadiumet e reja si dhe projektet e tjera infrastrukturore në fushën e futbollit. Por keni të drejtë kur thoni se edhe unë nuk kam qëndruar duarkryq, kam lobuar pranë komunitetit të futbollit për kandidaturën time.
- Votat kundër nuk janë pak, krahasuar me votimet e tjera. Mendoni se keni gabuar si Komitet dhe President në ndonjë drejtim? Çfarë duhet të përmirësohet në të ardhmen?
Po edhe shumë nuk janë. Natyrisht kur ka garë do të ketë ndarje votash ndërmjet kandidatëve. Natyrisht përherë ka vend për përmirësime në punën e FSHF. Jo se janë bërë gabime, por për disa cështje duhet të ishte ngulmuar më shumë. Duhej të kishim qenë më ngulmues në sistemin e organizimit të ligës apo shoqatave. Ka nevojë që të forcojmë sistemin e edukimit të arbitrave apo skemën e licensimit të klubeve. /Newsport.al/