
Kukësi po zhvillon një sezon jashtë pritshmërive të gjithë tifozëve kuksianë. Verilindorët aktualisht pas 31-javës ndodhen në vendin e 8-të me 37 pikë, pozicion që të çon në “Play-Out”.
Faza e tretë e kampionatit ishte më “prodhimtarja” për verilindorët, të cilët ndeshje pas ndeshje morën rezultate pozitive, ndërsa në një moment “ëndërruar” edhe zonën europiane.
Por duket se në 6 ndeshjet e fundit djemtë e Rraman Hallaçit kanë zhytur veten gjithmonë e më shumë në zonë e rënies. 3 humbje dhe 3 barazime kanë bërë që tashmë të rrezikohet seriozisht edhe mbijetesa. Diçka e tillë nuk ndodhte prej vitesh në Kukës që pas ngjitjes në Superligë.
Vështirësia tashmë është shumë e madhe, pasi kanë mbetur edhe 5 finale drejt fundit. Takimi i radhës për skuadrën kuksiane është dueli me Partizanin në “Arenën e Demave” ditën e diel, ora 18:00. Kjo sfidë është e vlefshme për javën e 32-të dhe Hallaçi duhet të zgjojë te lojtarët atë “luanin” e fortë që t’u japë një “shtysë” drejt sprintit final për qëndrimin në Superiore.
Në Kukës janë optimist, por situata është ndryshe. Kukësi duhet të reagojë që ndaj demave, në të kundërt do të ketë pasoja në skuadër.